Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik draftligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që do të bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”.
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero në një intervistë për ATSH-në, shpjegon se draftligji i ri përcakton të gjitha rregullat, garancitë dhe veprimet e subjekteve që do të përfitojnë nga procesi i deklarimit vullnetar të pasurive dhe njëkohësisht saktëson se cilat do të jenë institucionet publike që do të administrojnë këtë proces.
“Kur flasim për legalizim të pasurive, kemi parasysh shumat në të holla, pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme, gurë të çmuar, piktura etj.”, tha Vjero.
Sipas Vjeros, subjektet që do të përfitojnë, do të jenë shtetasit shqiptarë, pavarësisht nëse janë apo jo, rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, por edhe individët të cilët mund të mos jenë me nënshtetësi shqiptare, por janë rezidentë tatimorë, pra kryejnë një aktivitet dhe qëndrojnë në Shqipëri më shumë se 182 ditë për të marrë këtë status.
Qeveria hartoi një tjetër draftligj për amnisti fiskale dhe penale në vitin 2020, por e tërhoqi nga Parlamenti me qëllim arritjen e një konsensusi të plotë politik, duke qenë se opozita ishte jashtë këtij institucioni. Po ashtu edhe me qëllim një diskutim më të gjerë me grupet e interesit dhe faktorin ndërkombëtar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka këshilluar qeverinë shqiptare kundër mbajtjes së një amnistie fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor.
Zëvendësministrja e Financave shpjegoi se në draftligjin e ri që është hedhur për konsultim, janë mbajtur parasysh shqetësimet e shprehura të FMN-së, ndërsa gjatë procesit të konsultimit publik do të merren në konsideratë rekomandime nga grupet e interesit dhe institucionet financiare vendase dhe ndërkombëtare.
“Ne kemi filluar procesin e konsultimit. Presim çdo lloj propozimi që do të vijë nga grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare financiare. Ky draftligj është përpjekur të mbajë në konsideratë të gjitha rekomandimet e FMN-së“, tha Vjero.
Zëvendësministrja theksoi se e reja e draftligjit të ri ka të bëjë me kufirin e deklarimit monetar.
“Ky është një element që nuk ka qenë në draftligjin e mëparshëm. Tashmë është sanksionuar që pasuria, e cila do të lejohet të deklarohet vullnetarisht, nuk duhet të kalojë vlerën maksimale të 2 milionë eurove. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të themi se edhe draftligji i ri garanton një numër të konsiderueshëm subjektesh që janë të përjashtuar, pra nuk kanë të drejtë të regjistrojnë pasuritë e tyre. Dhe janë subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive së bashku me personat që ata kanë në përbërje të tyre familjare duke filluar që nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat, drejtorë prokurore, gjyqtarët prefektët, etj.”, tha Vjero.
Sipas saj, është bërë kujdes që nga procesi të përjashtohen edhe ato subjekte, të cilat kanë qenë mbajtëse të detyrave apo të funksioneve, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, si dhe subjektet e ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit.
“E rëndësishme është që nga ky ligj nuk mund të përfitojnë subjektet e ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, apo personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të ligjit për masat kundër financimit të terrorizmit, dhe njëkohësisht subjektet për të cilët ka filluar procedura penale për evasion në fushën tatimore dhe doganore”, u shpreh zv/ministrja.
Vjero evidentoi faktin se përjashtimet synojnë që kjo kategori e bizneseve apo individëve të mos kenë asnjë mundësi të të përfitojnë nga ligjësimi i pasurive.
Nga ana tjetër, zv/ministrja u shpreh se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të luajë rolin kyç në këtë proces.
“Do të krijohet një njësi e veçantë që do të merret me të gjithë këtë proces që me krijimin e evidencave, statistikave, mbledhjen e informacionit, përpunimin e të dhënave, ruajtjen e konfidencialitetit, që është shumë e rëndësishme. Njëkohësisht janë edhe një sërë strukturash të tjera që do të angazhohen në këtë process, duke nisur që nga bankat e nivelit të dytë, me institucionet e tjera financiare, autoritetet mbikëqyrëse, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, gjendjes civile, doganës, policia, Shërbimi Informativ Shtetërore, Inspektorati i Lartë i Deklarimit, pra janë një sërë strukturash, të cilat do të vërtetojnë deklaratën që do të bëjnë subjektet, apo edhe individët”, deklaroi zv/ministrja.
Vjero tha se në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka apo institucioni financiar mban një tatim të posaçëm prej 7 % të shumës totale, për deklarime dhe pagesa të kryera në 4 muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit dhe 10 % të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas 4 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Nëse subjektet që kanë bërë deklarimin vullnetar të shumave në të holla nëpërmjet depozitimit të tyre në një llogari bankare, vendosin ti investojnë shumat e deklaruara në tituj shtetërorë, bono thesari apo obligacione, në draftligj, shpjegoi Vjero, jepet kjo e drejtë.
“Por do t’i kenë të investuara për një periudhë kohore jo më të vogla se 2-vjeçare, dhe Banka e Shqipërisë, në rolin e agjentit fiskal, mban një tatim të posaçëm prej 5 % të shumës totale, për investime të bëra në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit dhe 7 % të shumës totale, për investime të bëra, pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit”, u shpreh Vjero.
Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të luajtshme apo të paluajtshme, të deklaruara vullnetarisht pranë Njësisë, Vjero tha se tatimi i posaçëm paguhet në masën 7 % të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit dhe 10 % të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Zëvendësministrja bëri të ditur se draftligji parashikon edhe disa kufizime kohore dhe penalitete në rast transferimi jashtë shtetit të të hollave të deklaruara vullnetarisht.
“Shumat në të holla të deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë 5 vjeçare, nga momenti i depozitimit të tyre, në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar. Në rastet kur subjektet që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet në masën 30 % të shumës së transferuar”, tha zv/ministrja.
Draftligji sanksionon garancitë për subjektet deklaruese.
“Të ardhurat pas kryerjes së pagesës së detyrimeve, sipas parashikimeve në këtë ligj, konsiderohen si të ardhura, për të cilat detyrimet tatimore janë paguar në përputhje me legjislacionin shqiptar”, theksoi Vjero./ATA