‘Lejoni tifozët në stadium, në ndeshjen me Anglinë’/ Trajneri Reja apel qeverisë ‘Rama’ para përballjes me Andorrën  

Andorra, Anglia dhe San Marino, do të jenë tre sfidat e para për kuqezinjtë që do të vendosin fatin për pjesëmarrjen tonë në “Kampionatin Botëror Katar 2022”.

Sot trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, shpalli listën me 28 lojtarë që janë ftuar për tre ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e “Botërorit Katar 2022”.

Kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Andorrës më 25 mars, ndërsa më 28 mars përfaqësuesja kuqezi do të presë Anglinë në Tiranë. Takimi i tretë do të luhet më 31 mars ndaj San Marinos sërish në transfertë.

Tekniku italian në prononcimin e tij për “Fshf.org” foli për risitë e tij në këtë grumbullim të parë për vitin 2021, teksa shpreson që lojtarët të vijnë në gjendje optimale në këto sfida.

Gjithashtu, Reja kërkoi përqendrim maksimal nga kombëtarja para Andorrës, që ai e cilëson si duelin më të rëndësishëm dhe kërkon nga skuadra që të japë maksimumin.

Po ashtu, trajneri i Shqipërisë, u shpreh që në këto sfida do të mund të tregojmë se sa jemi rritur dhe se tani përgjegjësia është më e madhe, pasi jemi ngjitur një kategori më lart në Ligën e Kombeve dhe pritshmëritë janë më të mëdha.

Në fund, Reja bëri edhe një thirrje për qeverinë që të pranojë kërkesën e FSHF për lejimin e 30% të tifozëve në stadium ndaj Anglisë, pasi distanca fizike mund të ruhet shumë lehtë dhe risqet për përhapjen e virusit korona janë inekzistente.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *