Dosja e Fredi Belerit, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i cili është në burg për blerje të votave, i ka kaluar së fundmi SPAK. Së shpejti pritet që të hidhet dhe shorti për gjyqtarin që do ta marrë në shqyrtim këtë dosje dhe më pas të mbahen seanca për masën e sigurisë në GJKKO.
Në dosje thuhet se procedimi ndaj Belerit kanë nisur në më 8 maj, pra një javë para zgjedhjeve vendore, pasi kishte dyshimet se kandidati i “Bashkë Fitojmë” blinte vota. Në prokurorinë e Vlorës është paraqitur shtetasi A.R, i cili denoncoi blerjen e votave dhe Beleri dhe më pas pranoi të bëhej i infiltruari i prokurorisë.
Pjesë nga dosja:
“Në datë 10.05.2023, shtetasi A.R, ka komunikuar ne telefon me shtetasin Dhionisios Alfred Beleri dhe i ka thënë se listën ia kishte dorëzuar sekretares së tij. Alfredi i ka thënë se do ta verifikontë një gjë të tillë dhe do të komunikonin sërish bashkë për tu takuar. Në vijim të kësaj bisede, sërish në datë 10.05.2023, ata janë takuar më njëri tjetrin në lagjen Potam, jashtë ambienteve të lokalit “Gelateria”, ku sipas bisedave ambientale të përgjuara, kanë biseduar në mënyrë të përmbledhur lidhur me listën prej 13 personash të dorëzuar nga shtetasi A.R dhe shumën monetare që duhej të përfitonte secili prej tyre në këmbim të votës pro kandidatit Dhinisios Alfred Beleri.
Në këtë bisedë, ky shtetas i ka premtuar shtetasit A.R se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për shtetasin A.R, nëse shtetasi Dhionisios Alfred Beleri bindej sipas verifikimeve që ai do të kryente, se vota ishte hedhur pro tij. Në këtë bisedë, shtetasi Dhionisios Alfred Beleri, i premton shtetasit A.R se shumën monetare do t’ja jepte po atë natë në darkë ose të nesërmen në mëngjes”./AbcNews