Aktori i njohur Leonardo DiCaprio, ka publikuar foton e artikullit të shkruar nga organizata “Global Wildlife Conservation”, të shoqëruar me mbishkrimin se “dhënia e statusit si një park kombëtar të lumit Vjosa, do të mbrojë zonën nga digat dhe kërcënimin e ri nga shpimet e naftës dhe gazit”.
Në artikull shkruhet se lumi Vjosa ka një rendësi të veçantë në Europë. Ai mund të jetë lumi i parë në kontinent, i cili mund të deklarohet një Park Kombëtar. Dhënia e këtij stausi, do ta mbronte atë nga projektet e hidrocentraleve në zonën përreth Ballkanit, që po rrezikojnë integritetin delikat të ujrave natyrorë dhe jetën përreth tyre.
Lumi Vjosa ka një shtrirje me ujëra të kristalta prej rreth 260 kilometra. Ai buron nga malet e Pindit në Greqi. Rreth 70 kilometra nga rrjedha kalon në territorin grek e më tej në territorin shqiptar, duke vërshuar deri në Adriatik.
Vjosa konsiderohet lumi i fundit në Evropë me rrjedhë të lirë. Lumi është i pasuruar më specie të ndryshme, shumica prej të cilave janë të pa eksploruara. Por sipas ekspertëve, ato rrezikohen nga projektet e parashikuara nga shteti shqiptar.
E ardhmja e kësaj pasurie kombëtare është e pasigurtë. Në rast se nuk mbrohet, ekziston një rrezik shumë real që lumi dhe speciet e panumërta të tij, të humbasin përgjithmonë.
Parlamenti Evropian miratoi dhe nxiti qeverinë shqiptare, të vendosë lumin Vjosa si një park kombëtar. Por së fundmi, kryeministri Rama, i cili u zgjodh për një mandat të tretë, ka ndaluar së miratuari Vjosën si park kombëtar, duke pretenduar se ai tashmë ka mbrojtje të mjaftueshme si një park natyror. Edhe pse termat “park natyror” dhe “park kombëtar” duken të ngjashëm, e vërteta nuk është kështu. “Vetëm një park kombëtar mund ta mbrojë plotësisht dhe ligjërisht këtë ekosistem të bukur nga zhvillimi në të ardhmen”, shpjegon Olsi Nika nga EcoAlbania, një OJQ lokale mjedisore.
Tre dekadat e fundit, në rrjedhën e Vjosës është diskutuar të ndërtohen 45 hidrocentrale, 8 prej të cilave direkt në lumin e saj dhe të tjerat në degët që i bashkohen. Ekspertët e mjedisit, shprehen se në veçanti hidrocentralet e Kalivaçit dhe Poçemit janë ato që e kërcënojnë më tepër.
Në zonën e Përmetit kompania ndërkombëtare Shell, ka nisur kërkimet për burime nafte dhe gazi, dhe nëse ata gjejnë naftë, kompania e energjisë planifikon të fillojë prodhimin në vjeshtë 2021.
Së fundi, qeveria miratoi zhvillimin e një aeroporti dhe kompleksi resortesh turistike në pjesën e poshtme të Vjosës, mes Lagunës së Nartës dhe grykëderdhjes së Vjosës.
Pa vullnet politik nga Rama dhe lider të tjerë politikë në Shqipëri, Vjosa do të vazhdojë të kërcënohet.
Prandaj zëra ndërkombëtarë si Leonardo DiCaprio, apelojnë që Vjosa të shpallet Park Kombëtar, në mënyrë që e gjithë rrjedha e saj të jetë e mbrojtur nga planet e ardhshme.
Burimi i lajmit: Global Wildlife Conservation. Përshtatur nga Priza.al