Velipojë/ Një natë para fundit. Nesër do të filloj punë. Rroga nuk është e keqe, plus që ai shoku im që punoi vjet atje, më tha se dalin edhe bakshishe dhe fundi i muajit është i mirë. 3 muaj nuk janë pak. Lekët që do marr nuk do i mbaj të gjitha për vete. Do jap edhe diçka në shtëpi dhe pjesën tjetër do e mbaj për vete. Do blej një kompjuter të ri se ai që kam është i vjetër. Kam një shok që mund të ma gjejë me çmim të mirë. Do qeras dhe shokët me rrogën e parë.
Ja fillova. Nuk është aq e vështirë. Është pak vapë dhe nga dreka lodhja ndihet më shumë se porositë nuk kanë të sosur dhe janë të gjithë të uritur. Secili e do pjatën i pari. Klientët në përgjithësi janë të sjellshëm. Ka dhe ca të bezdisur, por unë përpiqem të jem i duruar. Nuk më besohet që erdhi fundi i ditës së parë. Nuk i ndiej këmbët. Mezi pres të rregullojmë tavolinat e të iki në shtëpi.