Petrit Çano, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë del nesër përpara trupës së KPA. Mes disa flamujve të kuq që janë ngritur në analizën e tre kritereve për figurën e tij spikat një denoncim i një biznesmeni të njohur që e akuzon Çanon se i ka bërë shantazh për qëllime personale:
Letra e gjatë e biznesmenit, që ndodhet në Ambasadën Amerikane, i është drejtuar edhe KLP-së, zyrës së Inspektorit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që po merr në shqyrtim dosjen e prokurorit Çano, përfshirë akuzat për abuzim gjatë ushtrimit të detyrës dhe ndikim të paligjshëm me anë të postit.
“Përpara dy vitesh jam thirrur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë nga prokurori Petrit Çano për arsye personale të tij. Në atë takim prokurori Cano, më tha se të kam thirrur jozyrtarisht për të biseduar për një mikeshën time, e cila quhet Alma B. (shën.red: identiteti i saj që gjendet në redaksi dhe në letrën dërguar organeve të Vetingut, nuk publikohet i plotë për arsye etike) – shkruan biznesmeni në letrën e tij dhe shton: “I thashë që nuk e njoh këtë shtetase. Më përsëriti se nuk të kam thirrur si prokuror”.
DITA mësoi se autor i këtij denoncimi të pazakontë është biznesmeni Nikolin Lleshi. Letra është firmosur edhe nga dy avokatët Rigert Koni dhe Enea Radiçi. Lleshi është administrator i shoqërisë “Alba-Shoes” dhe i shoqërisë “TNA’’, investitor në fushën e ndërtimeve, me rreth 28 vite aktivitet; aktualisht në listën e taksapaguesve më të mëdhenj në vend.
Skandali sillet rreth një objekti qendër tregtare dhe rezidencë banimi që ndodhet në lagjen Nr. 1, Rruga “Kala” në Krujë. Sipas materialeve të administruara nga tre institucione të Vetingut, historia lidhet me një hapësirë të porositur pikërisht në këtë godinë.
Gjatë takimit në zyrë prokurori i ka folur biznesmenit “për një kontratë porosie” të lidhur aty “mes bashkëshortit të Alma B. dhe ndërtuesit Arben Kupi”.
Kupi është ndërtuesi prej të cilit Lleshi ka blerë godinën në fjalë.
“Prokurori Petrit Cano më bëri me dije që, unë e di që ti je blerësi i pallatit, por do të doja që kontrata e lidhur mes bashkëshortit të A.B. dhe ish pronarit të pallatit Arben Kupi, të njihet nga ana juaj dhe detyrimi të merret i mirëqënë nga ju. I kam bërë me dije se, nuk kam asnjë detyrim ligjor ndaj askujt që ka pasur kontrata me ish pronarin Arben Kupi, pasi objektin e kam blerë pa detyrime ndaj të tretëve.
Në këtë pikë biseda u acarua, prokurori ka ngritur zërin dhe mē ka kërcënuar se, këtë detyrim do ta njohësh patjetër. Duke menduar se ishte një reagim i ashpër momental i tij, i thashë që nuk mund të bëj të tilla ndere. Më kërkoi të largohem nga zyra dhe të mendohem edhe njëherë, përndryshe do të përballesha me të personalisht”.
Bisnesmeni dhe Prokurori nuk kanë patur më komunikime, por historia nuk u mbyll këtu.
“Vetëm dy javë pas ngjarjes në zyrë, më thërret përsëri në Prokurori, por këtë herë me cilësinë e të kallzuarit për mashtrim. Kallzuesi ishte.. bashkëshorti.i mikeshës së tij. U shtanga sepse unë atë person nuk e kisha takuar kurrë në jetën time. Në prani te prokurorit Cano, këtë herë kam paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që më është kërkuar, për të provuar që nuk kam asnjë detyrim ndaj kallzuesit, madje as nuk e njoh, fakt të cilin ai e dinte shumë mirë”.
Denoncuesi shton në letër se pseudo-kallzimi ishte stisur nga vetë prokurori Petrit Cano, pasi “nuk është bërë më asnjë veprim më tej; ka pasur si qëllim vetëm të vazhdonte presionin e ngritur ndaj meje” – shkruhet në letër.
Në praninë e prokurorit është kryer gjithashtu një ballafaqim midis biznesmenit Nikolin Lleshit dhe shtetasit Arben Kupi, prej të cilit është blerë godina.
“Kupi ka deklaruar se, objektin ia kam shitur pa asnjë lloj detyrimi Nikolin Lleshit dhe të gjitha detyrimet që unë kam pasur me kontrata, me të tjerët, i kam përsipër vetë, duke i njoftuar ata; çdo detyrim si edhe ky për të cilin interesoheni ju, e kam unë” – citohet në letër.
Denoncimi përfshin më pas edhe institucione të tjera lokale që janë vënë në lëvizje nga prokurori si Bashkia dhe Komisariati i Policisë i Krujës.
“Ky drejtues me funksion prokuror i Krujës ka vendosur të përdorë të gjitha lidhjet që i ka për shkak të detyrës, duke kërkuar medoemos dëmtimin e biznesit tim dhe mua personalisht” – shkruan në letrën e tij biznesmeni.
Ka pasuar një kalvar i gjatë konfliktesh dhe përplasjesh. “Theksoj faktin që cdo kallëzim i paraqitur nga ana jonë dhe jo vetëm rasti i mësipërm, pengohet dhe nuk vazhdohet në asnjë rast procedura ligjore që duhet ndjekur sepse kështu ka vendosur prokurori drejtues Cano” – citohet në letrën denoncuese, e cila do botohet e plotë nesër në DITA.
Prokuroria e Krujës dhe rasti Dokle
Endrit Dokle u dënua në janar 2012 me burg përjetë për një listë të gjatë akuzash përfshi tre vrasje, 4 tentativa vrasje e rrëmbim personi dhe përfshirje në organizatë kriminale.
Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë në vitin 2014, pas një procesi maratonë të filluar në vitin 2005 ndaj të ashtuquajturës “Banda e Durrësit”. Ndërkohë paralelisht me këtë proces, Dokle u dënua përsëdyti në janar 2013 me 16 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për krijim të organizatave kriminale dhe trafik narkotikësh, pasi ndërsa ishte në paraburgim ai ishte bërë pjesë e një rrjeti të trafikut, të cilin sipas vendimit të gjykatës e kontrollonte me telefon nga qelia.
Me një vendim të tretë, në korrik 2013, Gjykata e Krimeve të Rënda i bëri bashkë të gjithë dënimet e Dokles, në një dënim të vetëm me burg përjetë.
Por pak kohë më parë përmes gjashtë vendimeve, të marra njëri pas tjetrit dhe në një rast brenda të njëjtës ditë, gjyqtarja e Krujës Enkeleida Hoxha (tashmë e arrestuar) vendosi lirimin e tij “me kusht”, duke cituar në vendim gjendjen shëndetësore të të atit dhe depresionin që kishte kapluar Doklen.
Të dhënat tregojnë se gjyqtarja Hoxha – e cila ka liruar më herët në rrethana të ngjashme edhe të dënuarit për krime të rënda Ilir Paja dhe Genci Tafili, – i ka marrë vendimet skandaloze e ndihmuar nga raportet e drejtuesve të disa institucioneve, pa të cilat lirimi i Dokles do kishte qenë i pamundur.
Për të mbërritur tek liria, Dokles iu deshën një sërë procesesh gjyqësore, në të cilat gjyqtarja e Gjykatës së Krujës i njohu përfitim amnistie dhe po ashtu i pranoi përfitime prej paraburgimit dhe ulje dënimi.
Pas vendimit të Gjykatës, drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano u pyet cila ishte arsyeja e moskundërshtimit të vendimeve për amnistinë nga organi që drejton. “Ashtu e kemi çmuar,” – u përgjigj ai.
Çano dhe Vettingu
Drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano u konfirmua fillimisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në korrik 2019.
Por në tetor 2019 Komisioneri Publik apeloi vendimin e KPK dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit hetim më të thelluar për Çanon.
Sipas Komisionerit Publik, KPK nuk kishte hetuar mjaftueshëm sa i përket blerjes së të paktën dy apartamenteve me çmim disa herë më të lirë se ai tregut çka e ngarkonte subjektin me dyshime për konflikt interesi dhe as për fiktivitet.
Në maj 2021 Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hapë hetimin gjyqësor lidhur me ankimin e Komisionerit Publik.
Në seancën e zhvilluar në qershor të këtij viti KPA doli me vendim të ndërmjetëm. Kolegji kërkoi prova dhe sqarime shtesë nga Gjykata e Krujës në lidhje me vendimet e marra dhe qëndrimin e prokurorëve në çështjet që kishin të bënin me lirim me kusht, llogaritjen e ditëve të dënimit, vendime mbi qëndrimin në shtëpi dhe çështje të ngjashme.
Komisioneri ngriti si çështje shtesë, veç dy apartamenteve, edhe sjelljen e Prokurorisë në lirimet e Endrit Dokles dhe Genc Tafilit.
Avokati i Çanos u mbrojt duke thënë se këto lirime nuk ishin në ankimin fillestar të Komisionerit ndaj nuk duheshin shqyrtuar, kurse vetë Çano tha se e kishte të pamundur të kontrollonte gjithë vendimet e Prokurorisë që drejton sepse kishte “shumë ngarkesë në punë për shkak të numrit të vogël të prokurorëve në Krujë”.
Nesër KPA pritet të dalë me vendim për rastin.
/Burimi: Gazeta Dita/