Partia ‘Lëvizja Bashkë’ do të garojë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kolegji Zgjedhor mori këtë vendim dhe detyron kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi që ta regjistrojë si subjekt zgjedhor.
Celibashi nuk e regjistroi se vendimi i shkallës së parë nuk kishte formë të prerë se nuk ishinmbushur 15 ditë për tu ankimuar. Drejtuesi i lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, i cili synon të garojë për kryetar të bashkisë Tiranë e cilësoi qëndrimin e Kolegjit një vendim që i jepte fund paligjshmërisë dhe padrejtësisë.
“Përpara pak minutash Kolegji Zgjedhor na dha të drejtë duke vendosur ta detyrojë Komisionerin Qendror të Zgjedhjeve të regjistrojë Lëvizjen Bashkë si parti politike me të drejta të plota në zgjedhjet e 14 majit. Kjo është një ditë e shumëpritur nga ne, e shumëpritur nga mijëra qytetarë që kanë nënshkruar për themelimin e Lëvizjes Bashkë, e shumëpritur nga mbi 5000 qytetarë që kanë nënshkruar që ne të marrim pjesë në zgjedhje.
Paligjshmëria dhe padrejtësia do të kishte një fund. Ky fund fatmirësisht erdhi, pavarësisht makinacioneve që nisën me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me gjygjtarin famëkeq Zhukri e komisionerin famëkeq Celibashi dhe tre anëtarët famkëqij të KAS-it. Kjo nuk është fitore vetëm për ne, aktivistët e Lëvizjes Bashkë. Është fitore për çdokënd që do të jetë si ne, në pozitën tonë në të ardhmen. Kjo është fitore për qytetarët shqiptarë, pluralizmin politik, për aq pak demokraci sa kemi në Shqipëri. Ne demokracinë duhet ta mbrojmë, duhet ta zgjerojmë, duhet ta fuqizojmë dhe ky vendim është një ogur i mirë në këtë rrugë.
Ne do të nisim fushatën zgjedhore për pak ditë në bashkinë e Tiranës. Unë ju premtoj që do të jetë fushata më e pazakontë, më e fortë dhe më shpresëdhënëse që është parë ndonjëherë në këto 30 vite pluralizëm në Shqipëri”, tha Qori.