Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 20 vite burg të 70-vjeçarit Gjergj Gjini, i cili në muajin dhjetor të vitit 2020 plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, Hil Gjini.
Ngjarja ndodhi në fshatin Balldre të Lezhës, teksa 43- vjeçari Hil Gjini po dërgonte fëmijët në shkollë. Ai u qëllua me armë nga fqinji sapo kishte dalë nga banesa me automjetin e tij tip “Benz”.
Autori i dyshuar u arrestua disa orë pas ngjarjes, dhe në përfundim të hetimeve, Prokuroria ngriti akuzat “Vrasja me paramendim, mbajtja pa lejeve e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, si dhe kanosja”. Tashmë do të jetë gjykata që do të vendosë për fatin e 70-vjeçarit, i cili në qëndrimet e tij ka deklaruar se i kishte zënë pritë fqinjit për ta trembur dhe se nuk kishte pasur qëllim që të qëllonte me armë zjarri në drejtim të tij.
NGJARJA
Shtetasi Hil Gjini u plagos mëngjesin e 1 dhjetorit të vitit 2020, teksa ishte në makinë me bashkëshorten dhe 3 fëmijët e tij. Këta të fundit fatmirësisht nuk morën dëmtime, pasi bashkëshortja e 43-vjeçarit arriti të zbresë nga makina dhe fillimisht ka mundur t’i ulë dorën e më pas t’i rrëmbejë armën të moshuarit Gjergj Gjini, i cili në ato momente po qëllonte drejt bashkëshortit të saj. Në këtë mënyrë, gruaja ka arritur të mbrojë edhe tre fëmijët e mitur nga të shtënat me armë zjarri.
Mëngjesin e 1 dhjetorit, Hilë Gjini ka qëndruar rreth 30 minuta në makinë ku u qëllua derisa ka ardhur ambulanca që e ka transportuar atë në Spitalin e Lezhës jashtë rrezikut për jetën. Ai mori një plumb në pjesën e këmbës që nuk përbënte rrezikshmëri për të. Policia arriti të prangosë autorin disa orë pas ngjarjes, si dhe në cilësinë e provës materiale sekuestroi armën e krimit dhe disa gëzhoja. Në deklarimet në Polici, 70-vjeçari ka deklaruar se konfliktet me Hil Gjinin kishin nisur që në vitin 2004, pasi ky i fundit i kishte helmuar delet. Sipas tij, që prej asaj kohe debatet kanë qenë të vazhdueshme, për çështje pronësie, pasi tokën e kishin ngjitur me njëri-tjetrin. I moshuari pranoi autorësinë menjëherë pas arrestimit nga Policia.
Banesat midis tyre kanë një distancë prej rreth 300 metrash, ndërsa shënjestra nuk njihej si person problematik në zonë, ndërsa për disa vite kishte qenë këshilltar komunal në Komunën e Balldrenit.
/Priza.al/