Lidhën çarçafët dhe i bënë gërshet, ky është litari që përdorën Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri për tu arratisur nga burgu

Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri të cilët mbaheshin brenda burgut 313 në kryeqytet kanë tentuar të arratisen ditën e djeshme. Çarçafë të bërë gërshetë, dhe një çengel hekuri, kanë qenë mjetet me të cilat tentuan të bënin arratisjen spektakolare, e cila rezultoi një dështim.

Çekaj, i dënuar për trafik droge, dhe Pjetri, për një seri grabitjesh me armë, u kapën pasi zbritën me çarçafë nga zona e ajrosjes së të burgosurve te pjesa e administratës.

Burimet tregojnë se ata përdorën një litar të improvizuar nga të paktën katër çarçafë të ndryshëm si dhe një çengel të cilin ata e përdorën për t’u kapur nga tarraca.

Foto nga Balkanweb
Foto nga Balkanweb

Mwsohet se dy të dënuarit shfrytëzuan momentin kur rreth orës 15:00 të dielën gardianët u shpërqendruan nga tentativa për vetëvrasje e një të paraburgosuri tjetër. Ata janë hedhur nga zona e ajrimit tek ajo ku qëndron administrata dhe që është jashtë perimetrit të sigurisë së lartë.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve ka nisur hetimet për mënyrën se si dy të dënuarit kanë improvizuar litarin dhe çengelin. Dyshohet se një gardian mund t’i ketë ndihmuar ata për materialet. Hetuesit ndërkohë kanë marrë në pyetje stafin teksa Çekaj, Pjetri dhe i paraburgosuri tjetër janë vendosur në izolim për 90 ditë.

Ndaj tyre është ngritur akuza e përpjekjes për arratisje dhe goditje për shkak të detyrës. Autoritetet ka gjasa të kërkojnë zhvendosjen nën regjimin me mbikëqyrje të shtuar, njohur si 41 bis, i cili i ndalon që të burgosurit të kenë komunikime jashtë burgut.

Kush është Fatmir Pjetri

Fatmir Pjetri, i njohur ndryshe me nofkën “Babagjyshi” u ekstradua në shtator të vitit 2019 nga Amsterdami/Holandë drejt vendit tonë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg  për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Përmbledhje e ngjarjeve të ndodhura:

Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Disa nga episodet:

Në datë 28.09.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit A. B., në Kuçovë;

Në datë 05.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit S. R., në Laç;

Në datë 25.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit P. B., në Fushë-Krujë;

Në datë 24.12.2013 është vjedhur me armë argjendaria në një qendër tregtare në Tiranë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hague, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Kush është Arbër Çekaj

Arbër Çekaj është dënuar me 14 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, ai është pronari “Arbën Garden”, magazinave brenda të cilave u kapën 613 kg kokainë rreth tre vite më parë. Ngarkesa e madhe e kokainës u dërgua nga Kolumbia dhe ishte e fshehur në pakot me banane.

Antidroga lejoi udhëtimin e ngarkesës deri në magazinën e kompanisë Arbri Garden që gjendej në Maminas ku dhe kreu ndërhyrjen në shkurt 2018 që solli me pas arrestimin në Gjermani dhe ekstradimin në Tiranë të Çekajt.

Teksa Çekaj ishte në burg, duket se biznesin e mbante gjallë i ati, Selim Cekaj, i cili u vu në pranga në prill të këtij viti. Në një kontejner të mbushur me banane që vinte nga Ekuadori u kapën 49 kg kokainë.

Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin Selim Çekajn, të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike kokainë.

Në vitin 2018, kur edhe u zbulua ngarkesa e parë dhe e konsiderueshme e fshehur në një kontejner me banane të porositur nga kompania e tyre Arberi Garden, Selim Çekaj ka përsëritur se edhe i biri është i pafajshëm.

Dosja për të moshuarin që mbas goditjes se djalit hapi një kompani tjetër për tregtinë e bananeve, u transferua nga prokuroria e Durrësit pranë SPAK.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *