Deputetët e PD-së, kanë dorëzuar zyrtarisht sot në kryesinë e Kuvendit, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për lidhjet e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI-së McGonigal. Me firmën e 42 deputetëve, opozita ka kërkuar ngritjen e një komision hetimor që do të verifikojë kontaktet dhe marrëdhëniet e Ramës me ish-agjentin e FBI-së.
Opozita ka kërkuar të verifikohen kontaktet e kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e arrestuar apo me agjentë të tjerë për goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare. Nxitja, ndikimi, porositja apo përfshirja e kryeministrit përmes favoreve, rryshfetit apo pasurive publike ndaj këtyre agjentëve do të përbëjnë një tjetër pjesë të hetimit nëse komisioni do të ngrihet.
Kërkesën e ka dorëzuar sot zyrtarisht në kryesinë e Kuvendit, deputeti Luçiano Boçi dhe deputetja Albana Vokshi. Nga kryesi Boçi u shpreh se Rama e ka detyrim ligjor dhe kushtetues që të japë llogari para Kuvendit në lidhje me çështjen.
‘Do e nxjerrim Ramën nga aty ku është fshehur. Në mënyrë të çuditshme del nga skype dhe mundohet që të justifikohet. Jo vetëm komisioni do t nxjerrë nga kamarja por edhe protesta e 11 shkurtit. E dimë shumë mirë se nuk duan që ta pranojnë, por rregullorja e përcakton qartë kur ¼ kërkon ngritjen e komisionin është detyrë e Kuvendit që ta pranojë. Do të vijë si çeço dhe do të përgjigjet para këtij komisioni. Është detyrim ligjor dhe kushtetuese.’– tha Boçi