Misioni i OSBE në Shqipëri, ka deklaruar se janë të kënaqur nga tërheqja e qeverisë mbi projektligjin për mediat.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, OSBE njofton se legjislacioni në lidhje me median duhet të garantojë lirinë e medias, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare.
“Jam e kënaqur që qeveria shqiptare tërhoqi nga axhenda parlamentare projektligjet e diskutueshme për median, të njohur si paketa “anti-shpifje”. I gjithë legjislacioni në lidhje me median duhet të garantojë lirinë e medias, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e OSBE.
Kujtojmë se pak ditë më parë kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, tha se ndryshimet për ligjin e medias tashmë janë tërhequr nga propozuesit.
“Kur propozuesi tërhiqet, e gjithë iniciativa ligjore bie. Dua t’ju rikonfirmoj se ne e kemi tërhequr ato ndryshime ligjore që janë bërë para tre vitesh”, deklaroi Balla.
Paketa ligjore Anti-Shpifje u propozua në vitin 2020 dhe kishte të bënte me kompetencat e zgjeruara që i jepen Autoritetit të Mediave Audio-Vizuale, (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike edhe Postare, (AKEP), për të vendosur gjoba të kripura dhe mbyllur portale elektronike nëse, kur sipas tyre, në publikimet online “shpifin dhe cënojnë dinjitetin e individit.” Por, kjo nismë solli debat, pasi në rekomandimet e Komisionit të Venecias këto kompetenca cilësohen si mekanizma që cënojnë lirinë e medias.