Parlamenti i Polonisë ka miratuar një ligj, sipas të cilit policët kufitarë duhet t’i dëbojnë menjëherë emigrantët që përpiqen të kalojnë ilegalisht kufirin. Sipas ligjit, policët kufitarë do të kenë fuqi që të refuzojnë kërkesat e emigrantëve për azil politik. Ligji i ri i miratuar në Parlamentin polak pritet të nënshkruhet nga presidenti Andrzej Duda.
Polonia dhe Bashkimi Evropian akuzojnë udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, për dërgimin e mijëra emigrantëve në kufijtë e BE-së. Sipas BE-së, Lukashenko po përpiqet t’i destabilizojë shtetet e unionit, për t’u hakmarrë kundër sanksioneve që i ka vënë blloku.
Megjithatë, sipas ligjit ndërkombëtar, kushdo që kërkon azil, duhet të merret në mbrojtje edhe nëse e ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshmë, por duket se Polonia nuk do ta zbatojë më këtë ligj.
Polonia ka qenë në qendër të debateve kohët e fundit, pasi është akuzuar se kthen emigrantët. Së paku gjashtë viktima janë gjetur pranë kufirit të Polonisë, ndërsa dyshohet se kanë vdekur si pasojë e të ftohtit.
Polonia ka ngritur një gardh të përkohshëm me tela përgjatë kufirit të saj dhe të enjten parlamenti në Varshavë planin për të ndërtuar një mur kufitar.
Ndërkohë edhe shtetet anëtare të BE-së, Lituania dhe Letonia janë përballur me rritje masive të emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Azisë që përpiqen të hyjnë ilegalisht nga Bjellorusia. Akuzat se nxit emigrantët drejt kufijve të BE-së, Lukashenko i ka mohuar, madje fajëson politikanët perëndimorë për situatën në kufi.
/Burimi: BBC/ Përshtati: Priza.al/