Ligji për azilin në Shqipëri, Çuçi: Ja çfarë do t’i ofrojmë azilkërkuesve

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka mbajtur një interpelancë në Kuvend, në lidhje me ligjin e ri për azilin në Shqipëri të miratuar vitin e kaluar.

Çuçi bëri me dije se ky ligj do të sjellë risi pozitive, ku më kryesoret sipas tij pa diskutim do të jetë përfshirja për herë të parë e statusit të mbrojtjes.

“Ne vjet kemi miratuar ligjin e ri për azilin në Shqipëri. Ky ligj përveç se është në përputhje të plotë me direktivën përkatëse të BE-së, ka sjellë edhe disa risi shumë pozitive ku më kryesor pa diskutim është përfshirja për herë të parë e statusit të mbrojtjes së përkohshme të azilkërkuesve apo personave pa shtetësi që kërkojnë azil. Një përcaktim që ka qenë në direktivën e BE-së që pas luftës së Kosovës, por që nuk është aplikuar asnjëherë, as në vendet e BE, por që ne i paraprijmë duke aplikuar për herë të parë në rastin e krizës së refugjatëve afganë dhe që BE po e aplikon për herë të parë me rastin e krizës së refugjatëve nga Ukraina”, tha Çuçi.

Risia tjetër e rëndësishme, u shpreh Çuçi është ndihma juridike që i garantohet nga shteti azilkërkuesit. Ai tha, se ligji ka përcaktuar që Komisioni për azilin të përbëhet nga 5 anëtar.

“Një risi tjetër është ndihma juridike që i garantohet nga shteti çdo azilkërkuesi. Është ky ligj që ka përcaktuar që Komisioni Kombëtar për Azilin të përbëhet nga 5 anëtarë dhe jo nga 7 anëtarë. Ky është një Komision ankimi administrativ, pra është brenda organit administrativ.

Garantohet në bazë të ligjit të Kodit të Procedurave Administrative, e drejta e ankimit çdo personi që preket nga një vendim administrativ, në rastin konkret organi administrativ që shqyrton lejen për azilin apo për refugjatët, që në këtë rast është Drejtoria brenda Ministrisë së Brendshme. Në bazë të përcaktimeve që bën ligji, i cili nuk përcakton se çfarë ka në përbërje është ngritur ky Komision me 5 anëtarë”, nënvizoi Çuçi.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *