Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur lidhur me projektligjet që do të propozohen në kuvend mes tyre edhe për atë nga ana e grupit parlamentar të PD-së për ‘despiunizimin’.
Me anë të një deklarate për mediat, Balla tha se ka një dakordësi me PD në disa pika, ndërsa përsëriti qëndrimin se edhe ata që janë vlerësuar nga komisionet e mëparshme, duhet të vlerësohen sërish në dritën e fakteve të reja.
“Ne kemi shprehur dakordësinë tonë me propozimin e PD për deklasifikimin e dosjeve. Pra ndryshimi që vjen në ligjin për informacion të klasifikuar për këtë pjesë të paketës së despiunizimit.
Në të njëjtin moment kanë ardhur edhe ndryshime të tjera nga drejtoria përkatëse. Duhet përmbyllur aspekti procedural në punën e komisionit ligjor.
Dakordësia jonë është dhe besoj që edhe për sa i përket ndryshimit që ne kemi propozuar, që zhbën pengesën që kishte deri tani, vlerësimi nga ana e autoritetit të kujtdo që hyn në juridiksionin e ligjit për t’u vlerësuar, edhe pse është vlerësuar nga komisionet më parë, duhet vlerësuar nën dritën e fakteve të reja që kanë dalë.
Unë mbështes edhe propozimin e shpalljes së monumente të kujtesës së burgjeve Tepelenës, Spaçit etj”, tha Balla.