Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka folur ditën e sotme për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit.
Në një prononcim për mediat, Alibeaj tha se ne kemi depozituar të parin komponentin e dekomunistizimit. Më tej ai ka shtuar se hapja e Dosjeve është një detyrim për të gjithë në mënyrë që vendi të shkëputet nga e shkuara dhe trashëgimia e regjimit.
“Nga ana jonë ka pasur disa iniciativa ligjore dhe duhet të them, iniciativa e parë ka pasur synim përkujtesën, bëhet fjalë për ligjin që synonte që burgu i Spaçit dhe kampi i Tepelenës të kthehen në muze kombëtarë. E dyta është ajo e cila lidhet me ndalimin e propagandës komuniste, është projektligj i plotë dhe ka filluar puna e kkonsultimit që në vitin 2018 dhe në gusht është depozituar nga ana jonë për ndërgjegjësimin dhe ndëshkimin e regjimit totalitar komunist. E treta ka të bëjë me hapjen e Dosjeve, ligji për informimin e publikut lidhur me dosjet e ish-Sigurimit. Në 2015 është miratuar ligji për autoritetin për informimin e dosjeve. Është bërë një avancim i lehtë drejt hapjes së tyre u jepej mundësia që vetëm 2 kategori të kishin mundësi të njoheshin me dosjet, e para u jepeshin viktimave dhe e dyta autorëve të krimeve të sigurimit të shtetit.
Sigurisht ishte e paqartë se pse u jepej aksesi autorëve të krimeve. Ne kemi depozituar të parin komponentin e dekomunistizimit. Ka filluar puna e konsultimit. Ligji për hapjen e dosjeve është ligji për informimin e publikut. Padia antikomuniste në Shqipëri duhej të bënte këto akte për disa arsye. Për një interes të drejtpërdrejtë të shoqërisë shqiptare. Shoqëria shqiptare nuk mund të vijonte të mos njihte të shkuarën e vet. Nuk do të mund të reflektonte, nuk do të mund të nxirrte leksione për të ardhmen. Tranzicioni na ka treguar të gjithëve kur nuk bëhet transparencë për atë që ka ndodhur në 50 vite diktaturë”, tha Alibeaj.