Deputeti i PD, Arbi Agalliu ka reaguar në lidhje me ligjin për investitorët miratuar nga qeveria.
Përmes një deklarate për mediat, Agalliu tha se kryeministri Edi Rama ka miratuar dhënien e koncesion të 9200 metra katrorë tokë në Himarë një prej oborrtarëve të tij.
Sakaq shtoi se Rama është duke i dhënë tokat e shqiptarëve pa garë për të ndërtuar hotele.
“Kulmi i abuzimit me ligjin e investimeve strategjike është vendimi i Qeverisë i datës 7 Shtator 2022, ku e gjithë prona publike në bregdet, me sipërfaqe rreth 9200 m2, i dhurohet klientit personal të Edi Ramës vetëm për 1 euro gjithsej. Pra ditën kur me propagandë njoftoi luftën e rremë me milionerët, vendosi të bëjë milioner me pasurinë tonë publike një klient personal të tij. Për të favorizuar mikun e tij, për Edi Ramën 9200 m2 në bregdetin e Himarës, pronë e qytetarëve shqiptarë, kushton vetëm 1200 lekë të vjetra. Thënë ndryshe për Edi Ramën, 9200 m2 pasuri e shqiptarëve kushton më pak se 1 kafe në Himar. Rama po pasuron njerëzit pranë tij. Rama është në ortakëri me oligarkët. Kryeministri kërkon të bëjë milionerë oligarkët e tij, me pronat e shqiptarëve. Rama është duke bërë luftë të rreme më milionerët, po i jep pronat pa garë për të ndërtuar hotele”