Shqipëria duhet të aplikojë ndryshime ligjore në skemën e sigurimit të depozitave për të siguruar përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Europian. Analiza e harmonizimit të legjislacionit në kapitullin e shërbimeve financiare ka treguar se niveli i përputhshmërisë së ligjit “Për sigurimin e depozitave” me direktivën e BE –së “Për skemat e sigurimit të depozitave, të vitit 2014, vlerësohet si i moderuar. Për të mundësuar përputhshmërinë e plotë me këtë direktivë janë disa çështje që duhen adresuar, duke filluar nga mospërputhja e nivelit maksimal të mbulimit me sigurim. Aktualisht, skema e sigurimit të depozitave bankare në Shqipëri garanton një mbulim ligjor deri në shumën maksimale prej 2.5 milionë lekësh. Ndërkohë, skema e mbulimit të depozitave në Bashkimin Europian parashikon një mbulim deri në shumën e 100 mijë eurove.
Një mangësi tjetër në ligjin shqiptar është mungesa e një sistemi të mbledhjes së primit të sigurimit mbi bazë rreziku. Aktualisht, të gjitha subjektet e skemës paguajnë një prim sigurimi fiks, si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
Ligji “Për Sigurimin e Depozitave” përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave”. Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2022, raporti arriti në 7%, nga 6.66% që pati qenë një vit më parë. Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara.
Duke pasur parasysh se ligji e parashikon këtë mundësi, bankat tregtare po kërkojnë prej më shumë se dy vjetësh nga autoritetet rregullatore uljen e primit të sigurimit të depozitave. Megjithatë, ASD është shprehur se është ende në fazën e analizave lidhur me mënyrat e zhvillimit të mëtejshëm të skemës së sigurimit të depozitave. Duke pasur parasysh se Shqipëria ka nevojën të përafrohet me nivelin më të lartë të mbulimit të skemës së BE-së, gjasat janë që të bëhet një rishikim i ligjit, duke rritur shumën maksimale të mbulimit. Vlera e fondit të sigurimit të depozitave në banka në fund të vitit 2022 arriti në rreth 57.9 miliardë lekë, lekë me një rritje prej 9.6% krahasuar me një vit më parë. Ky fond ka dy burime kryesore financimi: primet që paguhen nga bankat dhe të ardhurat nga investimi i fondit.
Çështja të tjera që duhet të adresohen në legjislacionin për sigurimin e depozitave për të garantuar përputhshmërinë me kuadrin e BE-së janë edhe mospërputhja e afateve kohore për nisjen e procesit të kompensimit, mospërcaktimi i një niveli të synuar të fondit të sigurimit të depozitave në banka dhe të fondit të sigurimit të depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit apo mungesa e dispozitave për tepricat kreditore të përkohshme. Ndryshimet në ligj do të jenë pjesë e domosdoshme e në procesin e integrimit, por deri tani Banka e Shqipërisë dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave nuk kanë përcaktuar ende afate kohore për hartimin e këtyre ndryshimeve./monitor