Rallë ndodh, tepër rrallë, që dy bashkëshortë marrin vlerësime shumë të larta nga institucioni i Presidentit të Republikës, sikurse ka ndodhur me Faruk dhe Liljana Kalleshin. Madje ky mund të jetë një rast unikal në Shqipëri. Faruku, ish-shtangist kampion e rekordmen i Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares, vlerësuar për kontributin e tij në sport me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, kurse Liljana, artiste e cirkut në estradën profesioniste të Shkodrës e në cirkun kombëtar në Tiranë, laureate e çmimit të Republikës, vlerësuar pak kohë më parë nga Presidenti i Republikës me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Publiku, sport dhe artdashësit, e njeh suksesin e këtyre dy personazheve, mëposhtë sjellim në këtë numër disa detaje nga karriera dhe jeta e tyre bashkëshortore, nga njohja e tyre në cirk, e deri tani, si bashkëshortë prej 52 vjetësh, duke pasur në fokus, pikërisht Liljana Kalleshin. Liljana është nga ato gra që falë talentit të saj u bë profesioniste në moshë fare të njomë, madje vetë Enver Hoxha, pas ndjekjes së një shfaqjeje të estradës së Shkodrës tha ndër të tjera që i kishte pëlqyer artistja e cirkut. Kaq mjaftoi, dhe Liljana merr vëmendje maksimale, korr shumë suksese nëpër festivale të ndryshme si në Tiranë, Sarandë, Peshkopi etj, gjithandej me çmime të para. Por ajo do të spikaste edhe si drejtuese e trupës së cirkut, deri sa doli në pension. Si i përshtati Liljana në cirk numrat e kinezëve dhe rusëve, duke ndjekur “RAI”-in? Liljana e ka nisur karrierën në cirk që në moshë të vogël. Trupi i saj elastik i ka mundësuar asaj të realizojë numra të një shkalle shumë të vështirë. Për të mundësuar këta numra Liljana ka ndjekur tek “RAI”, ose televizioni jugosllav numra të artistëve të njohur të vendeve të mëdha si rusët e kinezët. Dhe ajo i ka përvetësuar këta numra, duke i zbatuar në estradën e Shkodrës, madje duke u shtuar elementë të vështirësisë, për të bërë gjëra që për atë kohë ishin arritje e madhe dhe i dhanë asaj shumë vëmendje. “Unë, përveç se kam ekzekutuar numra cirku me koefiçent vështirësie te lartë, soliste edhe me të tjerë, kam qenë edhe krijuese dhe drejtuese e trupës së cirkut të Shkodrës me staf afërsisht prej 30 veta. Në atë kohë shikoja artistët e cirkut botëror rus e kinez në kanalet e“ RAI”-it apo të Jugosllavisë. Dhe menjëherë shkoja në teatrin “Migjeni” dhe i realizoja të gjitha ushtrimet që shihja duke i çuar në një shkallë vështirësie më të lartë dhe një realizim me perfekt në çdo detaj. Një ndër numrat më të arrirë si: ekuilibri me një gotë në ballë i ekzekutuar nga një kineze, unë e realizova me dy gota, njëra në ballë dhe tjetra në buzë, duke bërë ushtrime plastike figura shumë më të vështira dhe elegante. Një numër tjetër, pashë një ruse që po performonte një numër me 1 gotë në ballë dhe një tabaka sipër gotës dhe sipër tabakasë ishin të vendosura 6 gota të tjera, të gjitha gotat e mbushura me ujë. Unë e realizova me 17 gota me ujë, e para në ballë, sipër gotës një tabaka me 8 gota dhe sipër këtyre gotave një tabaka me 8 gota të tjera. Vështirësia ishte tepër e madhe, sepse ushtrohej presion në muskujt e fytit. Me këtë numër kam marrë vlerësim maksimal në Festivalin e Estradave nga Ministria e Kulturës dhe nga publiku dhe kolegët e mi artistë. Një numër tjetër, “Trapezi fluturues”, në cirkun italian, akrobatja italiane mbajti një koleg të saj duke u mbajtur në pulpat e këmbës në lartësi me lëkundje, unë e realizova duke mbajtur tre kolege dhe e veçanta që kam bërë që ia kalova edhe numrit italian ishte që me lëkundje unë rrëshqita nga pulpat tek thembrat”, kujton Liljana. Ky numër i dha çmimin e parë të Festivalit të Estradave në Peshkopi. I ndjeri Telat Agolli, udhëheqësi artistik i Cirkut Kombëtar, ka vlerësuar gjithmonë numrat e saj si numra të nivelit botëror, me koefiçent vështirësie të lartë dhe me një interpretim të lartë artistik. “Jam e vetmja artiste cirku që kam ekzekutuar të gjithë profilet që ka cirku si plastikën që ka qenë brilante e talentit tim, trapezi ekuilibër me gota cilindër zhonglere ushtrime dyshe me vertikale ushtrime dinamike etj, një gjë e rrallë. Kam qenë balerinë shumë e talentuar si dhe gjimnaste ku në spartakiadë kam marrë medalje argjendi. Që artistja e cirkut është e vështirë të jetë njëherësh edhe gjimnaste. Kemi qenë dy nga cirku kombëtar, unë dhe Arjan Miluka gjimnast”, nënvizon më tej zonja Kalleshi. Rrëfehet Faruk Kalleshi: Me Lilin e nisëm si kolegë në cirk, e përfunduam në martesë
Faruk Kalleshi është shumë i njohur për sportdashësit shqiptarë, pasi, midis viteve 60-të e deri në mes vitet 80-të, për plot 21 vjet rresht, ai do të ishte kampion absolut i peshës së tij dhe njëherësh do të thyente 116 rekorde kombëtare, me suksese brenda e jashtë vendit, e iu afrua madje ndjeshëm edhe rekordit botëror në peshën e tij. Faruku do të njihej me Liljanën në cirkun e Shkodrës, kur ai ishte 14 vjeç e Liljana 9 vjeçe. Madje Faruku kujton në detaje edhe se si nisi e vijoi karriera e bashkëshortes së tij, nga valltare në grupin e nxënësve të Roza Anagnostit, e më pas në cirk. “Unë me Lilin jemi njohur në cirk, ajo vinte si valltare e nxënëse e Roza Anagnostit, por që profesori i cirkut, Myftar Tafili, duke parë cilësitë e saj, e mori dhe e futi në cirkun e Shkodrës. Aty jemi njohur, nga ai moment jemi bashkë. Kur Lili ishte 15 vjeçe, në një shfaqje të madhe në teatrin “Migjeni” i pranishëm ishte edhe Enver Hoxha. Në konkluzionet që ai dha për estradën, duke thënë se i pëlqeu shfaqja, ai evidentoi në veçanti artisten e cirkut, për të cilën la porosi të kalonte si profesioniste. Dhe ashtu ndodhi, Lili kaloi si artiste profesioniste e cirkut. Nga ajo ditë, në të gjitha shfaqjet e estradës Lili do të shquhej për performancën dhe numrat e saj. Miqësia në cirk përfundon në martesën e çiftit Kalleshi Faruku e Liljana punuan bashkë në cirk për shumë vite dhe midis tyre kishte shumë miqësi. Doemos që kjo miqësi do të përfundonte me martesën e tyre. “Shoqëria jonë përmes cirkut na lidhi më shumë, prandaj menduam që këtë miqësi ta bënim akoma më serioze. Unë vajta ushtar tek Partizani, 3 vite, aty theva 38 rekorde kombëtare e fitova dy anketa në “sportistët më të mirë të vitit”. Pasi u ktheva nga Partizani shpallëm fejesën, ashtu siç ishte koha, dhe në nëntor 1970, kur unë isha 25 vjeç e ajo 19, u martuam. Në këtë moment, ecuria ime në sport dhe e saja në art kapi majat, gjë që e tregojnë rezultatet”, thekson Faruku. Në festivalin e Estradave profesioniste, organizuar në Peshkopi, Liljana merr çmim të parë. Po çmim të parë mori në festivalin e organizuar në Sarandë në vitin 1972. Laureuar me Çmimin e Republikës Ishte viti 1967. Në festivalin kombëtar të estradave profesioniste, Liljana vlerësohet me “Laureat” i çmimit të Republikës, një vlerësim shumë i madh për atë kohë. Kjo bëri që ajo të kërkohej nga Telat Agolli në cirkun kombëtar në Tiranë. “Në fakt, – thotë Faruk Kalleshi, – ne donim të rrinim në Shkodër, por tani hapeshin dyer të reja për karrierën e Lilit, por edhe për timen pasi unë kisha krijuar tashmë një emër në peshëngritjen shqiptare”. Vlerësime të tjera Liljana pati suksese të vazhdueshme dhe ekzekutime perfekte të numrave në cirk, deri në mbylljen e viteve të punës dhe daljes në pension. Rezultatet e saj janë vlerësuar lart nga regjisorët e kohës. Për suksesin e Liljanës me estradën e Shkodrës na dëshmon edhe qëndrimi i regjisorit Paulin Sekuj, i cili, para nisjes për në festivalin që u zhvillua në Peshkopi, tha “nuk shkoj pa Lilin në festival”. Liljana shkoi, edhe pse kishte më pak se dy muaj që kishte lindur. Edhe pse në situatë të vështirë, ku bashkëshorti ishte në Europian, ajo me sakrificë ia doli të fitojë çmim të parë, bashkë me artistin e madh Tano Banushin.
Burimi/gazeta “SOT”