Lindita Nikolla takim me Ministren e Drejtësisë së Kosovës: Bashkëpunimi ka rëndësi strategjike dhe orientuese për Ballkanin Perëndimor

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot Ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe delegacionin që e shoqëronte, të cilët ndodhen në Shqipëri në një vizitë zyrtare.

Kryetarja Nikolla vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer e vëllazëror midis dy vendeve dhe vuri në dukje se Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës do të punojnë ngushtësisht për të nxitur e mbështetur qeveritë dhe institucionet për të çuar përpara bashkëpunimin dhe për të zbatuar marrëveshjet e firmosura dhe ndërmarrë nisna të reja.

Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës ka rëndësi strategjike, efekte stabilizuese dhe orientuese për perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.”

Pasi përmendi disa aspekte të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, arsimor, kulturor si edhe në fushën e mbrojtjes e të sigurisë midis të dy vendeve, Nikolla u ndal në mënyrë të veçantë në arritjet e reformës në drejtësi:

“Reforma në drejtësi është reforma më e thellë dhe gjithëpërfshirëse e realizuar në Shqipëri gjatë tridhjetë vjetëve të fundit si edhe një aspekt prioritar për integrimin evropian. Reforma po zbatohet me sukses dhe institucionet e reja të sistemit janë tashmë plotësisht funksionale dhe po japin rezultate të prekshme, të shumëpritura e të mirëpritura nga qytetarët.”

Kryetarja Nikolla nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit midis delegacioneve e përfaqësuesve të të dy vendeve në organizatat ndërkombëtare si edhe për mbështetjen më të madhe të Shqipërisë në organizatat ku Kosova nuk është ende anëtare.

Ministrja Albulena Haxhiu falenderoi Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për vlerësimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe nënvizoi se kjo mbështetje është shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Për reformën në drejtësi dhe vetting-un, të cilat sapo i kemi nisur, do të shfrytëzojmë përvojën e suksesshme të Shqipërisë. Me Ministrinë e Drejtësisë të Shqipërisë kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen,” nënvizoi Ministrja Albulena Haxhiu.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *