Në vijim të vizitës zyrtare në Suedi, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe Kryetarja e Zëvendëskryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetet Klotilda Bushka dhe Dhurata Çupi, u pritën sot nga Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén. Ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Suedi, Virgjil Kule.
Kryetarja Nikolla vuri në dukje se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve po nxiten edhe nga intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar.
“Ne mund ta avancojmë këtë bashkëpunim për shkëmbimin e përvojave dhe ndihmën gjatë procesit të negociatave me BE, duke nxitur gjithashtu bashkëpunimin mes grupeve të miqësisë, komisioneve, deputetëve dhe shërbimeve parlamentare”, tha Nikolla.
Nikolla shprehu përgëzimet për përmbushjen me sukses të Presidencës Suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe vlerësoi lart mbështetjen e palëkundur, të vendosur dhe solide të Suedisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Kryetarja Nikolla i shprehu homologut suedez mbështetjen e fortë të Shqipërisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe nënvizoi se kjo forcon Aleancën dhe e bën Evropën më të sigurt.
U diskutua për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe në fusha të tjera me interes të dyanshëm mes dy vendeve, si infrastruktura, transporti detar, tekstilet, bujqësia etj. Reformat e ndërmarra nga Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë, veçanërisht ato në fushën e drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë për krijimin e një klime të favorshme investimesh.
Në fokus të bisedimeve ishin edhe mbështetja e Suedisë ndaj Mocionit të Shqipërisë për një Rezolutë të re të AP të KiE mbi të ashtuquajturën Rezoluta Dick Marty e vitit 2011 dhe kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE, mbështetje për të cilën Kryetarja Nikolla i shprehu mirënjohjen kolegut Norlén.
Kryeparlamentarët Nikolla dhe Norlén biseduan edhe mbi vijimin e mbështetjes së dy vendeve për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe paqes e sigurisë në Evropë e më gjerë.
Kryetarja Nikolla e ftoi Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén, për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila do të realizohet në një kohë të afërt.