Në Bruksel vendet anëtare të BE-së janë konsultuar për një strategji të re në Lindjen e Mesme. Në qendër të diskutimeve është opcioni i zgjidhjes me dy shtete. Prioritet është situata humanitare në Rripin e Gazës, por për të arritur paqen duhet të mënjanohen shkaqet e konfliktit, deklaroi i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel. Për këtë kryediplomati i BE-së ka paraqitur një “strategji të detajuar”, që parashikon një konferencë paqeje. Qysh në fillim të takimit (22.01.2024) Josep Borrell bëri të qartë, se çfarë do të bisedojë me ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së. “Ne duhet të mos flasim për procesin e paqes, por duhet të fillojmë të flasim për zgjidhjen konkrete me dy shtete.” Edhe pse ndër shtetet anëtare do të jetë e vështirë për t’u dakordësuar në një pozicion, tha Borrell.
Ministrat e jashtëm të BE-së në unanimitet për një çështje
Gjatë javëve dhe muajve të fundit vendet anëtare të BE-së shpesh e kanë pasur të vështirë të unifikojnë një qendrim të përbashkët në luftën Izrael – Hamas. Kjo është vërejtur kryesisht në faktin, se shtetet si Belgjika dhe Irlanda kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa të tjera vende si Gjermania dhe Austria, duke iu referuar së drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje bëjnë fjalë për pauza humanitare. Duket se shtetet e BE-së do mund të bashkohen në qendrimin lidhur me zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez. Sipas ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock kjo është “e vetmja zgjidhje” e po ashtu edhe ministri i Jashtëm letonez Krisjanis Karins mendon, se BE-ja duhet të insistojë për zgjidhjen me dy shtete. Kjo është e vetmja rrugë për paqen. Ka kohë që BE e mbështet zgjidhjen me dy shtete, edhe pse vitet e fundit nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim. Me këtë koncept nënkuptohet një bashkëekzistencë paqësore e një shteti të pavarur palestinez krahas një shteti izraelit në Lindjen e Mesme.
Kritikë ndaj deklaratave të Benjamin Netanjahut
Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, pas sulmit më 7 tetor nga organizata militante-palestineze Hamas, që klasifikohet prej SHBA-së, BE-së dhe shteteve të tjera si organizatë tetrroriste, deklaroi, se Izraeli për një kohë të gjatë do të marrë përgjegjësinë për sigurinë në Rripin e Gazës. Së fundi sërish Netanjahu bëri të qartë, se e refuzon një zgjidhje me dy shtete pas fundit të luftës Izrael-Hamas. “Unë nuk do të bëj kompromise, nëse bëhet fjalë për kontrollin e plotë izraelit të sigurisë ndaj të gjithë territorit në perëndim të Jordanit – dhe kjo bie ndesh me një shtet palestinez”, shkroi ai në platformën X (dikur Twitter). Disa ministra të Jashtëm i kritikuan deklaratat e fundit të Netanjahut. Ministri i Jashtëm francez, që sapo ka marrë detyrën Stéphane Séjourné i quajti ato “shqetësuese”. Homologu i tij irlandez Micheal Martin i konsideron këto deklarata si të “papranueshme”. Ndërsa ministrja e Jashtme gjermane kritikoi në mënyrë indirekte dhe tërhoqi vëmendjen, se të gjithë ata që nuk duan t’ia dinë për një zgjidhje me dy shtete, “deri tani nuk kanë ofruar një tjetër alternativë”.
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Xavier Bettel paralajmëroi, se “nëse izraelitët besojnë, që zgjidhja me dy shtete nuk është zgjidhje, atëherë ata janë krejt të izoluar.” Jo vetëm BE, por edhe SHBA i përmbahet zgjidhjes me dy shtete në konfliktin e Lindjes së Mesme. Nëse fjalët e ministrit të Jashtëm të Izraelit Katz kanë pasur efekt në Bruksel, kjo nuk dihet, sepse ai nuk u shpreh në publik lidhur me këtë temë. Në një takim të veçantë u prit edhe ministri i Jashtëm i Autoritetit palestinez të Autonomisë, Riad Malki. Të pranishëm ishin edhe ministrat e Jashtëm të Jordanisë, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe.
Si mund të zbatohet zgjidhja me dy shtete?
Gljatë një fjlaimi në Valladolid të Spanjës javën e kaluar kryediplomati i BE-së Borrell u shpreh, që zgjidhja me dy shtete të “imponohet nga jashtë.” Në takimin e së hënës (22.01.2024) Borrell u tregua më i rezervuar dhe tha, se ende nuk kemi arritur në këtë pikë dhe fillimisht duhet punuar në një propozim konkret.
Ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg e përshëndet parimisht këtë nismë, por tërhoqi vëmendjen, se paqja nuk mund të imponohet dhe se është i nevojshëm një minimum vullneti në rajon. Edhe ministri i Jashtëm i Çekisë shprehu rezervë, nëse do të funksionojë propozimi i Borrelit. “Lipset një vullnet bazë politik i të gjithë aktorëve”, deklaroi Jan Lipavsky në kuadër të këtij takimi. Pas takimit nga qarqet diplomatike mësohet, se propozimi i Borrellit është përshëndetur nga vendet anëtare të BE-së dhe tani do të diskutohet më tej. Në takimin tjetër pas dy javësh ministrat e jashtëm sërish do të shqyrtojnë këtë propozim. Do të punohet që të tërhiqet në bord edhe SHBA për një konferencë paqeje, i tha DW-së një diplomat i BE-së./dw