Lindje natyrale apo cezariane? Mjeku gjinekolog: Në vend mungon informimi për lindjet natyrale pa dhimbje, ja avantazhet e saj

Nga: Adela Qerosi

Lindja e një foshnje është padyshim një nga momentet më të bukura në jetën e një gruaje, ashtu si dhe një nga më të vështirat. Kontrollet pranë mjekut obstetër-gjinekolog janë të detyrueshme dhe të vazhdueshme që nga nisja e procesit të shtatzënisë deri në momentin e lindjes. Në këtë të fundit, mjeku sugjeron metodën e kryerjes së saj në varësi të gjendjes shëndetësore të nënës dhe komplikacioneve të mundshme. Megjithatë, gjithnjë e më shumë nënat po kërkojnë ta marrin vetë ‘në dorë’ këtë zgjedhje, dhe kryesisht preferojnë ta kryejnë procesin e lindjes më anë të operacionit cezarian.

Në vendin tonë, sipas informacioneve të marra nga dy maternitetet kryesore në vend “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” numri i lindjeve cezariane konsiderohet i lartë në raport me totalin e tyre. 9455 ishte numri i bebeve të lindura gjatë vitit 2022 në këto dy institucione spitalore.

Disa vite më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë apelonte se vetëm 15% e lindjeve duhet të bëhen përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale me anestezi. Por, ndryshe rezultojnë shifrat në vendin tonë. Sipas informacioneve të dhëna nga vetë maternitetet, përgjatë vitit të kaluar 42% e lindjeve janë kryer me ndërhyrje cezariane. Kjo metodë konsiderohet si më pak e dhimbshme dhe e komplikuar nga vetë nënat, por sipas mjekëve lindja natyrale paraqet më pak komplikacione pas lindjes.

Mjeku obstetër-gjinekolog Ivirt Shkreli tregon se dëshira e pacientes për të zgjedhur metodën e lindjes respektohet, megjithëse vendimi përfundimtar i takon stafit mjekësor. Shkreli, i diplomuar ne Fakultetin e Mjekësisë në vend, është specializuar në drejtimin e obstetrikë-gjinekologjisë në Moskë të Rusisë. Që nga viti 2009 ai ushtron profesionin si mjek, përfshirë këtu edhe punën në shtetin rus, teksa prej 4 vitesh punon në qytetin e Durrësit si obstetër-gjinekolog. Shkreli u shpreh për Priza.al se në vendin tonë nënave u mungon informacioni lidhur me lindjen natyrale pa dhimbje. “Në vendet me shërbim shëndetësor të zhvilluar lindja me operacion realizohet vetëm në raste kur pacientja ka indikacion për të lindur me cesarian” – tregoi mjeku.

Shkreli e vuri theksin në avantazhet e lindjes natyrale, ku sipas tij, bazuar dhe në statistika, ajo konsiderohet më pak e rrezikshme se lindja me operacion.

Intervista e plotë:

Çfarë rekomandohet nga specialistët e fushës lindja cezariane apo ajo natyrale? 

Në radhë të parë në lidhje me dy zgjedhjet, për të bërë një lindje sa më të shëndetshme secila nga mënyrat duhet të bazohet në indikacionet e saj absolute dhe relative, nuk ka një rekomandim standard se cila nga këto dy mënyra është më e rekomanduar.

-Cilat janë arsyet që zgjidhet lindja me operacion, dhe a i lihet në dorë nënës për të vendosur?

Duke parë dhe kohët që po jetojmë ku gruaja në familje po merr një rol kryesor, shumë gra dhe sidomos duhet theksuar ato që lindin për herë të parë (lindja zgjat për herë të parë 14-16 orë nga fillimi i dhimbjeve të rregullta), shumë nëna nuk janë të përgatitura psikologjikisht dhe fizikisht për ta çuar këtë  proces lindje deri në fund, dhe për këtë ato zgjedhin metodën  më të shkurtër të lindjes me operacion. Gjithmonë në bashkëpunim respektohet e drejta e pacientit dhe dëshirat e saj personale, por vendimi përfundimtar merret nga ana e stafit mjekësor si profesionist dhe drejtues të lindjes.

 -A është lindja natyrale më e rrezikshme se ajo cezariane?

Nisur nga statistikat e FIGO-s (Federata Internacionale e Obstetër Gjinekologëve) në 2019, lindja natyrale përbën një proces fisiologjik dhe krahasuar me lindjen cesariane paraqet më pak komplikacione, sidomos ato post-partum.

-Pse në vendin tonë, por jo vetëm, po kthehet në trend lindja me operacion?

Në vendet me shërbim shëndetësor të zhvilluar lindja me operacion realizohet vetëm në raste kur pacientja ka indikacion për të lindur me cesarian kurse në vendin tonë akoma pacientja nuk është e mirë informuar për metodat e lindjes natyrale pa dhimbje dhe për këtë kësaj metode shumë pacientë i druhen.

-Cilat janë avantazhet të lindjes natyrale në raport me atë cezariane?

Avantazhet e lindjes natyrale përpos atyre të sipërpërmendura: periudha e rikuperimit post-partum është më e shkurtër, ditët e qëndrimit spitalor janë më të pakta, parametrat hemodinamike ruhen, pacientja nuk i nënshtrohet procesit të reanimimit dhe ajo që është më e bukura kontakti nënë fëmijë është më i hershëm.

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *