Liria e medias mes shpifjes, gjobave dhe biznesit të ndershëm (dhe një histori e vërtetë shoqëruar me padi)

Në çdo vend normal janë disa pushtete ato që bëjnë shtetin. Është ai legjislativ, ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor. Për nga vlera dhe rëndësia në radhën e pushteteve është shtuar dhe pushteti mediatik që quhet “Pushteti i katërt”.

Në Shqipëri ashtu si edhe tre pushtetet e para, edhe pushteti mediatik ka dalë nga shinat e normales dhe të ligjshmërisë.

Aktualisht në vendin tonë janë rreth 200 media online, që përpiqen të kapin treg dhe të mbijetojnë.

Ky numër i lartë portalesh përveç të mirës që sjell për lexuesin, për faktin se i lë hapësirë zgjedhjeje për informim ka edhe anën negative.

Të mbahet në punë makineria e një medie online ka kosto mujore. Nga qiraja e ambienteve, serverat, mirëmbajtja, rrogat, e çdo shpenzim tjetër duhet paguar.

Në pamundësi për të krijuar burime të ligjshme sponsorizimesh, apo reklamash, një pjesë e konsiderueshme e këtyre mediave online, kanë “rrëshqitur” në rastin më të mirë në atë që quhet “fake news” ose lajm i rremë e duke vijuar deri tek “gjobëvënia”.

Redaksia e “Priza.al”, e para u vu në dijeni të një padie që një sipërmarrës i madh ka ngritur kundër një prej dhjetëra portaleve që operojnë në Shqipëri.

Historia është e thjeshtë. Në një seri shkrimesh kundër këtij biznesmeni, kolegët tanë të portalit në fjalë, kanë akuzuar për një sërë shkeljesh. Por në shkrimet e paraqitura ka fjalë dhe akuza dhe asnjë fakt konkret.

I gjendur në presionin e shkrimeve denigruese dhe mbi të gjitha, duke parë se si imazhi po i dëmtohet pa të drejtë, biznesmeni ka vendosur të mos hyjë në bisedime me pronarin e këtij portali, por t’i drejtohet organeve të drejtësisë duke vendosur kështu një standard të ri dhe tejet të nevojshëm për balancat midis medias dhe biznesit.

Me më shumë se 4000 të punësuar në gjithë Shqipërinë dhe me filiale në disa vende të Europës, biznesmeni ka vendosur që këtë çështje ta lërë në dorë të organeve gjyqësore.

Fjalën tani do ta thotë drejtësia, nëse do vijojmë si përherë ku media akuzon, shpif dhe sulmon në kërkim të ndonjë “llokme”, apo do t’i thuhet STOP këtij fenomeni, duke vendosur një rregull që të shërbejë dhe si precedent për rastet në vijim.

Kjo padi e ngritur nga ky biznesmen, shpresojmë dhe urojmë që të jetë një provë ku pushteti i tretë pra ai gjyqësor, i vendos “kufirin tek thana” pushtetit të katërt, pra atij mediatik.

No description available.

No description available.

No description available.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *