Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit

Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draftstatutit për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Sipas Krasniqit pas prezantimit të drtaftstatutit në takimin e së martës në Bruksel, ky Ekip tash edhe vetë është pa status.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draftstatusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka thënë se vendimin e ka marrë të mërkurën.

“Sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiqiq, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq”, ka shkruar Krasniqi.

Vendimi i parë për themelimin e këtij Ekipi ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë së Hashim Thaçit. Vendimi i dytë ishte marrë në qershorin e 2016-s, gjatë qeverisjes nga Isa Mustafa, kurse i treti në shtator të 2020-s, gjatë Qeverisë së Avdullah Hotit.

Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar – Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy të tjerët janë ndryshuar vazhdimisht, teksa Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e ekipit, bazuar në vendimin e vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe koordinatore e Ekipit Menaxhues.

Lidhur me punën e Ekipit Menaxhues dihet vetëm nga raportet e mediave serbe, kur ata zhvillonin takimet në komunat e populluara me shumicë serbe. Ata patën shprehur përcaktimin për kompetenca ekzekutive të Asociacionit, në fushën e zhvillimit ekonomik, shëndetësi, arsim e planifikim hapësinor.

Me gjithë konstatimin e shkeljeve në të shtatë kapitujt e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria Mustafa dhe ajo që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Asokohe patën themeluar Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë pjesëtarët kanë qenë serbë. Pas dorëzimit të draftit asnjëherë nuk ishte zbardhur përmbajtja e tij.

Qeveria Haradinaj njëherë ia pati kthyer Ekipit Menaxhues për t’i bërë përmirësimet e nevojshme dhe përkthimin nga gjuha shqipe, pasi që drafti ishte dorëzuar vetëm në cirilikë. Afati i fundit për ta dërguar statutin në Bruksel ka qenë 4 gushti i vitit 2018. Por, as Qeveria dhe as BE-ja asnjëherë nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur me këtë dokument.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *