Ish-gjyqtarja e arrestuar Enkelejda Hoxha ka pranuar akuzën për korrupsion duke bërë që të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar. Mësohet se Hoxha kishte depozituar në Gjykatën e Posaçme kërkesë për gjykim të shkurtuar duke u vetëdeklaruar fajtore për akuzat “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Sot, GJKKO ka shqyrtuar dhe ka pranuar kërkesën e ish-gjyqtares. Pretenca shpallet në datën 17 nëntor ora 10:00 ku Enkelejda Hoxha pritet të dalë para trupës gjykuese për të disatën herë.
Ish-gjyqtarja Hoxha ndodhet në burg për korrupsion, pasi akuzohet se ka liruar disa “të fortë” të dënuar me burgim të përjetshëm.
Enkelejda Hoxha u vu në pranga paraditen e 11 shkurtit bashkë me 9 persona të tjerë, në kuadër të një operacioni të mirëorganizuar nga SPAK, pasi ishte vënë në përgjim prej muajsh. Pikërisht më 11 shkurt, Hoxha, me skemën e përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të saj, do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha akuzohet se ka marrë shuma nga 6 mijë deri në 12 mijë euro në këmbim të lirimit të të dënuarve për vrasje.
Ndërkohë babai i saj, bën apel për autoritetet të vlerësojnë gjendjen e fëmijëve bazuar në dokumentet e dorëzuara. Ashtu i kërrusur dhe me probleme të shumta shëndetësore Belul Hoxha ka pritur jashtë gjykatës për vendimin, teksa tha se fëmijët kanë mbetur në mes të 4 rrugëve, ndërkohë që çështja po zvarritet.
“Për autoritetet kam kërkesën që të shohin vlerësimin e gjendjes së fëmijëve me dokumente te sakta, të përgjegjshme janë që duan shërbim të përhershëm në çdo minutë, në çdo orë. Deri kur do vazhdojë kjo situatë që po shtyhet, po shtyhet. Kush do i mbajë kur dy të moshuarit 73 dhe 71 vjeç, deri kur? 9 muaj u mbushën, sa do vazhdojë? A do kujdeset dikush për këta fëmijë, çfarë hanë, çfarë pinë, kush i mban? Si shkon jeta e tyre? Në mes të rrugëve janë, gjyshja 71 vjeçe e sëmurë, unë me parkinson i sëmurë. Ne i marrim e vërtitemi në shtëpi”, tha babai i ish-gjyqtares.
/Priza.al/