Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të pranojë kërkesën e ILD, për shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Gjyqtarja e Krujës, e njohur nga opinioni publik për lirimin e disa të fortëve nga burgu, të cilët kanë qenë të dënuar përjetë, ndodhet në burg pasi akuzohet për “korrupsion” dhe u arrestua gjatë një operacioni të SPAK.
Gjatë seancës së sotme në KLGJ, Hoxha ka qenë e shoqëruar nga avokati i saj Ardian Visha. Ajo ndodhet aktualisht në masën “arrest me burg” për akuzën e korrupsionit.
Enkelejda Hoxha u arrestua në muajin shkurt, së bashku me 9 persona të tjerë. Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, gjyqtarja Hoxha, në bashkëpunim me avokatin Aldo Tabaku dhe sekretaren e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuci, merrnin para për të liruar nga burgu persona të dënuar.
Enkelejda Hoxha është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht. Dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ, pas një hetimi disiplinor të ILD-së.