Gjatë ditës një automjet i Policisë së Kosovës, duke provuar të qarkullojë nga stacioni i policisë në Zveçan, në drejtim të Mitrovicës, është sulmuar me gurë dhe i janë thyer xhamat.
Pas këtij incidenti, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë provuar të negociojnë me përgjegjësin e ushtarëve të KFOR-it, duke i kërkuar që Policia e Kosovës të mos qarkullojë nëpër disa rrugë të Zveçanit dhe në vend të tyre të vendosen ekipet e KFOR-it.
“Arsyeja pse erdhëm tek ju tani është nëse keni forcë që ushtarët tuaj të jenë në këto kryqëzime që të mos ketë kontakt mes policisë dhe qytetarëve. Do të thotë shumë nëse do të bënit një plan taktik, taktik për të mbyllur këto kryqëzime që të mos kemi konflikte, prandaj ju thirrëm”, kanë thënë përfaqësuesit e Listës Serbe.
Mirëpo, përfaqësuesi i KFOR-it nuk ka mundur të garantojë një gjë të tillë, duke thënë se edhe policët kanë nevojë të lëvizin nganjëherë sipas planit të tyre operativ.