LIVE- Rama: Fatos Nano, i burgosuri i fundit politik, beteja për drejtësi vendimtare për BE

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se beteja më e madhe për Shqipërinë është ajo për drejtësi dhe barazi para ligjit.

Gjatë një interviste në “SY m’SY”, ai e përshkroi këtë moment si historik, ku barazia para ligjit po arrihet me vepra dhe jo thjesht me fjalë.

“Nëse ka një betejë madhore dhe më të vështirë nga të gjitha, e që askush nuk e ka bërë më parë, është beteja për drejtësi. Sot, kemi një moment historik, ku barazia para ligjit synohet me vepra, jo me fjalë. Ky moment ka ardhur si rezultat i kësaj beteje. Qysh prej vitit 1912, kur u shpall pavarësia dhe u krijua shteti ynë, me qeverinë e parë, deri kur u bë reforma në drejtësi, shpatën e ndëshkimit që në një vend normal e ka zonja drejtësi, këtu e kishin në këtë zyrë. E kishin trashëguar nga njëri pas tjetrit nga të parët e kësaj pune, qoftë në monarki, komunizëm, apo demokraci.

Ajo shpatë edhe në kohën e lirisë godiste nga këtu, nga maja e piramidës, kryetarin e opozitës, Fatos Nano, i cili është dhe i burgosuri i fundit politik në Shqipëri.

Nuk është një luftë e shkurtër, por e gjatë. Kthesa është e dukshme, konkrete, dhe është vlerësuar nga Bashkimi Evropian, familja e madhe që ne dëshirojmë t’i bashkohemi, dhe që nuk do të bashkohemi dot nëse nuk jemi të barabartë para ligjit. Kjo është beteja më e madhe dhe historike e Partisë Socialiste që prej vitit 2013, që udhëhiqet nga unë, me vendosmërinë më të madhe. Prandaj, unë këmbëngul që më 11 maj të votoni Partinë Socialiste.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *