Shqipëria hap sot kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian për anëtarësimin në familjen e madhe Europiane. Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi deklaruan se kjo është një ditë mjaft e rëndësishme për Shqipërinë, Ballkanin dhe BE-në. “BE po humbet konkurrueshmëri, peshën për politikën globale. BE ka nevojë për freski, energji të reja” tha Péter Szijjártó.
“Kur ne e nisëm presidencën tonë të BE-së kishim një listë të prioriteteve. Ajo çka kemi vënë në krye të agjendës është përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Në fakt jetojmë në të njëjtin rajon dhe e dimë se çfarë ndryshimi ka zhvillimi i këtyre shteteve në paqe dhe natyrisht që ne mund të ndihmojmë me zhvillimin e Ballkanit Perëndimor me zhvillimet paqësore në situatën e tyre.
Kështu që do të ishim vërtetë të lumtur të kishim vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sidomos Shqipërinë. Jemi të lumtur që kjo po ndodh tani. Kjo është dhe falë Kryeministrit dhe kabinetit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme” tha më tej Péter Szijjártó.
Nga Luksemburgu ku u mblodh Këshilli i Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama tha se për këtë proces që u finalizua sot, ka një meritë lufta në Ukrainë e nisur nga Putin që përshpejtoi procesin.
“Ky proces ishte me ndihmën e Vladimir Putinit, agresionit në Ukrainë, që zgjoi BE-në, që ka nevojë për Ballkanin, aq sa Ballkani ka nevojë për BE-në. Shqipëria ka përmbushur kushtet dhe mbetet e palëkundur për të përmbushur të gjitha detyrimet” tha ai.