Investigimi/ Loja me ‘OKI’! Ja si kompania italiane tallet me shtetin dhe qytetarët

Konsumatori shqiptar është krejtësisht i pambrojtur kundrejt produkteve të ndryshme që ai blen dhe as agjencitë shtetërore që duhet të kujdesen sigurinë për shëndetin e tij, nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Kjo ndodh rëndom edhe me Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e cila ndër të tjera ka për detyrë që të kujdeset dhe të informojë publikun mbi barnat e ndryshme që tregtohen dhe të sigurohet për cilësinë e tyre.

Por kohët e fundit siç ndodh me shumë medikamente, edhe me një preparat farmaceutik të njohur si “OKI”, po ndodh një fenomen sa i shëmtuar aq edhe i rezikshëm në kurriz të konsumatorit të painformuar shqiptar. Barna të ndryshme që shumë vende të Europës Perëndimore i kanë hequr me kohë nga përdorimi, vijojnë të tregtohen lirisht nëpër farmacitë e Shqipërisë, në një kohë që kompanitë grosiste farmaceutike kanë futur tashmë në thes edhe një tjetër agjenci shtetërore siç është AKBPM-ja.

Kjo e fundit edhe pse duhet të ishte kujdesur që të largonte nga tregu preparatin “OKI”, ose të mos lejonte tregtimin e disa llojeve nga farmacitë pa recetë mjekësore, jo vetëm që nuk e ka bërë, por ka zhdukur edhe nga farja e saj elektronike njoftimin për moslejimin e disa preparateve “OKI” që të shiten pa receta.

Nga një vëzhgim i thjeshtë që “Priza.al” i ka bërë faqes web të AKBPM-së, por dhe faqes së shoqatës së farmacive, vendimi për largimin nga tregu dhe mosshitjen pa recetë të disa prej preparateve “OKI” nuk ekziston më.

Me sa duket kompania shqiptaro-italiane e cila fut në tregun tonë këtë preparat, e ka bërë punën e saj dhe tregtimit të preparateve “OKI” në farmaci pa recetë dhe me çmime nga më të ndryshmet u është hapur rruga.

Por pas një hulumtimi në “QPZ.gov.al” dhe në “Fletoren zyrtare të vitit 2018”, më saktë të 12 korrikut 2018, arritëm që të gjenim listën që tregon tregtimin e barnave pa recetë nga farmacitë.

Në këtë listë të gjatë prej 813 artikujsh mjekësor, thuhet vetëm se “OKI -task” në masën 40 mg, lejohet të tregtohet në farmaci dhe pa recetë, në një kohë që për preparatet e tjera “OKI” lista nuk i përfshin.

(Foto: Lista e barnave që tregtohen në farmaci pa recetë mjekësore me 813 artikuj)

Abuzimi nga farmacitë

Edhe pse farmacistet e disa farmacive në kryeqytet tregohen të “kujdesshme” dhe u thonë paraprakisht klientëve që kërkojnë “OKI” bustina se ky medikament “shitet me recetë”, produkti në fakt mund të blihet lirshëm në sasinë që do, mjafton të paguash paratë.

Këtë gjë “Priza.al” e ka konfirmuar dhe dokumentuar me anë të kësaj videoje të realizuar nga gazetarët tanë në terren sot në disa prej farmacive të kryeqytetit.

VIDEO…

Gazetari që paraqitet me kamera të fshehtë si blerës në farmacitë e ndryshme, arin që të blejë jo një e dy, por kuti të tëra me bustina 80 mg “OKI -Ketoprofene Sale di Lisina”, që normalisht ose duhet të ishin hequr nga qarkullimi prej një viti, ose duhet të jepeshin vetëm me recetë mjekësore.

Por ‘loja’ skandaloze me ‘OKI’-n nga farmacitë, te grosisti deri te Agjencia e Barnave, zhvillohet e gjitha me “konsensus” të palëve në kurriz të konsumatorit të pambrojtur dhe nën korrupsionin aktiv të strukturave të caktuara të shtetit.

“Priza.al” ka marrë për këtë çështje edhe kontakte me mjek specialistë apo farmacistë, të cilët e pranojnë një fakt të tillë, madje edhe rrezikun që sjell ky preparat për shëndetin, por pa dashur të identifikohen nga frika e kompanisë grosiste.

Mendimi i Specialistit

Mjekët specialistë edhe pse nuk duan që të identifikohen pasi i druhen hakmarrjeve të kompanive farmaceutike si në rastin tonë të “Dompé Albania sh.p.k”, me përfaqësues Rolan Xhafaj, gjithsesi deklarojnë se përdorimi i këtij preparati lirshëm në farmaci rrezikon shëndetin e konsumatorëve përdorues dhe sjell edhe afekte anësore të shumta në organizëm.

Sipas specialistëve: “statusi i OKI-t q shitet në farmaci si bar duhet të bëhet vetëm nën përshkrimin e mjekut me anë të recetës, pasi këtë e kemi të shkruar edhe tek fletëpalosja që shoqëron kutinë e medikamentit dhe që thotë ‘të jepet vetëm me udhëzim nga mjeku dhe të mos përdoret nga fëmijët’”.

Më tej specialisti shton se, “ky medikament pra OKI bustinë 80 mg, që në Tiranë dhe kudo shitet lirisht dhe mund të blihet pa recetë nga çdo pacient, nuk është në listën e barnave ‘OTC’, pra barnat që tregtohen pa recetë mjeku.

Pra në këtë rast kemi të bëjmë më një abuzim pas ky bar tregtohet pa recetë dhe blihet lirshëm nga cilido. Nga sa di edhe Agjencia e barnave ka dalë disa herë në kontroll nëpër farmacitë e Tiranës, por nuk ka mundur që ta eliminojë tregtimin e këtij preparati.

Në Itali nga ana tjetër një preparat të tillë nuk ke shanse që ta blesh pa një recetë mjeku dhe informimi aty është mjaft i madh, pasi ndër të tjera pacientëve u ndalohet përdorimi i OKI-t për një kohë të gjatë, për shkak se sjell dëme të shumta në organizëm”.

Oki është një nga ilaçet më të konsumuara nga shqiptarët. Në fakt kjo tretësirë përdoret për të gjitha dhimbjet e durueshme ose jo që prekin konsumatorin. Përveç faktit që kushton lirë, kjo tretësirë u bë shumë shpejt ilaçi më i kërkuar dhe i shpejtë kundër dhimbjeve më të zakonshme.

Vendimi për shitjen e OKI me recetë është marrë nga vetë Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore një vit më parë, por tashmë vet kjo Agjenci shtetërore po hesht përball një fenomeni të tillë me pasoja për konsumatorin.

Vijon….

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *