Një i ri është arrestuar në Laç në kuadër të finalizimit të fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”. 20-vjeçari ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit me kompjutera dhe tavolina pokeri, në lokalin që kishte marrë me qira.
Në lokalin në lagjen nr. 6, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 kompjutera për lojëra fati, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me fisha bixhozi, një shumë parash dhe aksesorë të tjerë që përdoren për kryerjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për 4 shtetas të tjerë, të cilët u gjetën në këtë lokal në momentin e ndërhyrjes nga policia.
Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë sekuestruar 7 kompjutera për lojëra fati, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për kryerjen e kësaj veprimtarie.