Olimpiada e Tokios e planifikuar të nisi brenda dy javësh, nga 23 korrik deri më 8 gusht 2021, do të mbahet pa spektatorë. Lajmin e dha Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike pas takimit me Komitetin Ndërkombëtar Olimpik dhe organizatorët japonezë të enjten.
Ndalimi erdhi disa orë pas shpalljes së një gjendjeje të jashtëzakonshme në kryeqytet duke filluar nga e hëna, nga kryeministri japonez, Yoshide Suga për të frenuar rritjen e rasteve me COVID-19. Bisedimet midis qeverisë japoneze, organizatorëve dhe përfaqësuesve olimpikë dhe paraolimpikë vunë në dukje pamundësinë e parashikimit të tifozëve të pranishëm drejtpërdrejt në garat e disiplinave të ndryshme, pas konfirmimit të gjendjes së jashtëzakonshme për Coronavirus për kryeqytetin e shtetit japonez.
Presidentja e Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike, ish patinatori, Seiko Hashimoto tha se i vinte shumë keq për një vendim të pashmangshëm. Në këtë drejtim, numri 1 i makinës organizuese u kërkoi falje atyre që kanë blerë tashmë biletat, të cilat në këtë pikë do të rimbursohen. Kryeministri japonez Yoshihide Suga theksoi se masa është thelbësore për të shmangur përhapjen e variantit shumë infektues Delta të Covid-19, duke parandaluar kështu një valë tjetër të infeksioneve.
Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Thomas Bach mbërriti në Tokio të enjten vetëm disa orë para se të njoftoheshin masat e reja. Ai do të kalojë tre ditë në vetë izolim në hotelin me pesë yje që strehon anëtarët e Komitetit Olimpik. Japonia është prapa disa vendeve për sa i takon vaksinimit. Sipas agjencisë “Reuters”, vetëm një e katërta e popullsisë së vendit ka marrë dozën e parë të vaksinës.
/Burimi: Fanpage/ përshtati në shqip Priza.al/