Kryeministri Rama mbajti një fjalim sot para nisjes së Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, ku do të marrin pjesë edhe disa sportistë shqiptarë. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal tek roli i Komitetit Olimpik, që sipas tij misioni është që edhe të qëndrojë pranë sportistëve elitare.
Rama u shpreh se misioni themelor i komitetit është krijimi i lëvizjes olimpike, e cila do të nisë menjëherë pas kthimit nga Tokyo.
“Më vjen mirë që kemi pasur mundësinë te jemi pranë komitetit olimpik dhe këtyre sportistëve me aq sa kemi mundur dhe me përfshirjen e bashkisë së Tiranës është bërë i mundur një trajtim dinjitoz i gjithë anëtarëve të këtij misioni, edhe pse nuk diskutohet që e mira s’ka fund dhe ne kemi plot gjëra për të përmirësuar.
Dua të them se e kam pritur me kënaqësi lajmin e zgjedhjes së Fidelit si kryetar i Komitetit Olimpik.
Misioni i komitetit olimpik është që edhe të qëndrojë pranë sportistëve elitare, të përgatisë misionet sportive në aktivitete të mëdha, por misioni themelor i komitetit është krijimi i lëvizjes olimpike. Nuk mund të ketë lëvizje olimpike pa një ndërthurje mes qeverisë, bashkive dhe komitetit olimpik, me fëmijët, gjimnazet dhe universitet., ne jemi të motivuar që ti japim një shtytje të re lëvizjeve në shkolla, që është në një fazë embrionale, pas ndërprerjeve për dekada, por njëkohësisht mendojmë që janë krijuar kushtet që kjo lëvizje të hyjë në një fazë të re dhe të fillojë një lëvizje e organizuar që sidoqoftë, përtej përpjekjeve që mund të bëjë qeveria apo ministria e arsimit, varet nga Komiteti olimpik.
Pas misionit në Tokoi në do të ulemi bashkë me komitetin për të hartuar një program të përbashkët për të shpjeguar programin tonë të ri në mandatin e tretë që lidhet me sportin dhe sidomos sporti për fëmijët. Për të dëgjuar nga të gjithë njerëzit në komitet apo drejtuesit e federatave dhe për të nisur një rrugëtim që në 4 vitet e ardhshme ta ngremë lëvizjen olimpike shqiptare në një nivel më të qëndrueshëm dhe ta nxjerrim nga kjo fazë embrionale”, tha Rama.