Vetëm tri javë para zgjedhjeve, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj po bën përpjekje për të mos rritur pritshmëritë për rezultatin e PD në 14 maj.
Në një intervistë për një emision televiziv ai i shmangu shifrat, por tha se për shkak të agresionit jashtëm dhe të brendshëm synimet politiko-elektorale të PD janë të ridimensionuar. “Synimi aktual është të ruajmë ekzistencën e partisë, pasi duhet ta pranojmë që ka ndodhur një plagosje e strukturave tona.”, theksoi Alibeaj, i cili synon të gjejë elektoral mes njerëzve që nuk shkojnë fare të votojnë. “Sipas të dhënave zyrtare rezulton se 50% e shqiptarëve refuzojnë me neveri tre fosilet politike, Ramën, Berishën, Metën.
Kur të shohim sa do të jetë përqindja, mbështetja që qytetarët do të na japin, do të bëjmë analizat tona.”- tha zoti Alibeaj. Megjithëse nuk pranoi të flasë me shifra se çfarë do të thotë të ruajë ekzistencën e PD, Enkelejd Alibeaj ka një parashikim se ku pret të fitojnë kandidatët e PD zyrtare nga 14 bashki ku kanë kandiduar. “Po, presim të fitojmë në Finiq, Mallakastër, Dimal.” Kreu i komanduar i PD, nuk e përfshiu Tiranën në hartën e fitores, por tha se Roland Bejko është kandidati i vetëm që përfaqëson të djathtën reale. “Në çdo rast do të jetë sukses.”- u shpreh ai.
Enkelejd Alibeaj është një nga politikanët më të ashpër kundër Sali Berishës, duke e kthyer antiberishizmin në një kartë të rëndësishme elektorale. Ai u shpreh se Berisha nuk synon fitoren në këto zgjedhje. “Halli i madh i tij është si të mbrohet nga non grata dhe eventualisht nga procedimet penale që mund të vijnë, si rrjedhojë e asaj si është dizenjuar për minim të demokracisë dhe për korrupsion. Zoti Berisha nuk fiton dhe as nuk i çon dot demokratët në fitore.”- u shpreh Enkelejd Alibeaj nga pozicioni i Kryetarit të Komanduar të PD. Por a mund të japë Alibeaj një rast konkret të korrupsionit të zotit Berisha, duke qenë se ka mbajtur funksionin e Drejtorit Antikorrupsion në Kryeministri dhe më pas Ministër i Drejtësisë në qeverinë e parë Berisha? Përgjigja e tij ishte kjo: unë nuk jam me dy standarde. Përfitoj të jap dhe një shpjegim për ata që me kujtojnë se kam qenë ministër i Berishës. Kam qenë ministër i qeverisë shqiptare. Brenda atij që quhet luajalitët politik, çdo ministër duhet të marrë një barrë dhe një detyrim ndaj kryeministrit të momentit. Cila ishte kjo barrë që unë besoj ta kem çuar me sukses deri ë fund: që përgjatë shërbimit si ministër të mos ia kem nxirë faqen ministrisë, qeverisë, kryeministrit po të doni. Por nga 2009-2013, kur PD bëri aleancë me LSI, ishte momenti kur qeverisja e PD mori teposhtë. Sa për rast konkret, nëse doni emra kur kam drejtuar Drejtorinë Antikorrupsion mund t’ju sjell raportet e kohës nga 2005-2007.”- tha zoti Alibeaj gjatë intervistës për emisionin.
Pjesë nga biseda:
Enkelejd Alibeaj: Në 2021 ajo çfarë ishte një lëvizje e gjetur diabolike e Edi Ramës për të nxjerrë fytyrat e vërteta që do të mund të vinin eventualisht në qeverisje Sali Berishën dhe Ilir Metën, besoj e mbani mend kur thoshte “votoni Bashën dhe do të vijë Berisha dhe Meta”. Dhe kjo i rezultoi fitimtare, fatkeqësisht. Edhe tani i ka targetuar të dy, sepse e di që i ka kundërshtarë që i mund në çdo rast.
Pyetje: E besoni që është e vërtetë, nëse fitonte Basha do të qeveriste Berisha dhe Meta?
Enkelejd Alibeaj: Po, edhe mund të kishte mundësi. Po, po. E them unë këtë, sepse mund t’ju them edhe gjënë tjetër që gjatë kohës që zoti Basha ka qenë në krye të asaj partie zëri i vërtetë qe vendoste linjën kryesore thelbësore ishte Sali Berisha.