Në Shqipëri ka përfunduar votimi për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të 61 bashkive dhe përbërjeve të reja të këshillave bashkiake.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00. Në disa qendra, ku ka pasur radhë të qytetarëve, votimi ka vazhduar edhe pas orës 19:00.
Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 176:00 është 34.54 për qind. Pjesëmarrja në këto zgjedhje konsiderohet e ulët. Pikërisht ky ka qenë apeli i krerëve të shtetit dhe politikanëve menjëherë pasi votuan.
Procesi i votimit është përcjellë me disa probleme teknike. Në disa qendra, votimi nisi me vonesë për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka pasur probleme me paraqitjen e komisionarëve, kryesisht të Partisë Demokratike.
Gjithashtu, në mbarë Shqipërinë u shfaqën probleme me pajisjet për identifikimin biometrik dhe për këtë arsye, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, urdhëroi që identifikimi i votuesve të bëhet manualisht, përkatësisht përmes listës së votuesve.
Partitë me akuza ndaj KQZ-së
Identifikimi elektronik i votuesve dështoi në mbi 500 qendra votimi. Edhe vetë kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nuk arriti të votonte mëngjesin e së dielës për shkak se pajisja identifikuese nuk funksionoi.
Ai arriti të hidhte votën në kuti vetëm pas orës 15:00, pas ndërhyrjeve që rregulluan pajisjen e identifikimit elektronik. Kjo problematikë bëri që partitë politike të akuzonin KQZ-në se krijoi pengesa në procesin e votimit.
Zëdhënësja e fushatës së Partisë Socialiste, ministrja e Shtetit për Rini dhe Fëmijë, Bora Muzhaqi, tha se KQZ-ja duhet t’u kërkojë falje qytetarëve.
“Nuk dëgjuam ndjesën e Celibashit drejtuar mijëra zgjedhësve pasi pajisjet nuk funksionuan. Kjo meriton një analizë të veçantë pas zgjedhjeve, pasi Qeveria e ka financuar. Nuk ka si të mos na vijë tmerrësisht keq kur u penguan mijëra zgjedhës për disa orë duke i mbajtur në pritje, e duke i detyruar të largoheshin”, tha Muzhaqi.
Ndërsa zëdhënësja e fushatës së Partisë Demokratike, Mirela Karabina, tha se në procesin zgjedhor ka pasur “parregullsi”.
“Mosfunksionimi i pajisjeve elektronike ka cenuar rëndë procesin e votimit, procesi u shoqërua me tensione dhe parregullsi si traditë e politikës së vjetër”, tha Karabina.
Një tjetër problematikë që u vërejt gjatë procesit ishte futja e personave të paautorizuar në qendrat e votimit në disa zona në Vorë, Durrës, Elbasan, Korcë e të tjera, ku u desh të ndërhynte policia.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ajo e Bashkimit Evropian, Christine Hoffman, dhe kryesuesja e vëzhguesve të ODIHR, Audry Glover, vëzhguan nga afër procesin e votimit në disa qendra.
Gara mes PS-së dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në zgjedhjet e 14 majit kishin 3 milionë e 653 mijë persona. Prej këtij numri, 122.545 ishin votues të rinj.
Në garën për drejtimin e 61 bashkive ishin 144 kandidatë. Ndërkaq, për 1.603 ulëse në këshillat bashkiake garuan 23.700 persona.
Në zgjedhjet e 14 majit u regjistruan 40 parti dhe koalicione.
Në tri bashki, Kamëz, Vorë dhe Elbasan u votua në mënyrë elektronike.
Në pjesën më të madhe të bashkive gara zhvillohet mes Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë” që drejtohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, politikanë që në të kaluarën kanë mbajtur poste të larta drejtuese si kryeministër apo president i Shqipërisë.
Partia Demokratike, e cila drejtohet nga ushtruesi i detyrës, Enkelejd Alibeaj, kishte kandidatë vetëm në 14 bashki. Kjo për shkak të përçarjes së Partisë Demokratike, pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të ish-liderit të këtij subjekti, Sali Berisha.
Kryetarët e bashkive zgjidhen përmes një sistemi mazhoritar, kurse anëtarët e këshillave zgjidhen sipas një sistemi proporcional me lista të mbyllura.
Për sigurimin e 5.211 qendrave të votimit, 92 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe 92 Vendnumërime të Votave, u angazhuan 5.511 punonjës policie në të gjithë Shqipërinë, ndërsa 57 objekte të rëndësishme u ruajtën nga forcat komando.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve u evidentuan 54 raste të krimeve zgjedhore, ndërsa 88 persona janë nën hetim. Për krim zgjedhor, konkretisht për blerje votash në pranga përfundoi edhe kandidati i opozitës në Himarë, Alfred Beleri. Të shtunën gjykata e Vlorës, – qark që përfshin edhe Himarën – caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” dhe çështja në ngarkim të tij i ka kaluar Strukturës së Posaçme Antikorrpsion (SPAK).
Sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri, në listat e kandidatëve për këshilltarë, 50 për qind duhet të jenë gra dhe ky rregull është respektuar në këto zgjedhje, pasi në to garuan 11.800 kandidate.
Por, për kandidat për kryetar bashkie nuk ka kuota gjinore dhe vetëm 15 gra garuan në zgjedhjet e së dielës.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vlerësuar se fushata zgjedhore është zhvilluar e qetë, ndërsa kanë shprehur shqetësim për akuzat e ndërsjella për blerje votash dhe për raportimet se administrata publike ka kryer aktivitete që shkonin në favor të shumicës, që ishin në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Pavarësisht se këto janë zgjedhje vendore, gjatë fushatës prioritet patën fjalimet e gjata të liderëve partiakë, duke lënë në hije kandidatët për kryetarë bashkie./REL