Luani kundër ‘Big Tech’/ ‘Pse po i padis Facebook, Twitter dhe Youtube’

Nga Donald J. Trump

Një nga kërcënimet më të mëdhenj për demokracinë tonë sot është grupi i madh i korporatave të mëdha teknologjike (Big Tech) që janë bashkuar me qeverinë në censurimin e fjalës së lirë për popullin amerikan. Kjo është jo vetëm e gabuar, por edhe antikushtetuese. Me qëllim rikthimin e fjalës së lirë për vete dhe për çdo amerikan, kam vendosur të padis Big Tech për ta ndalur censurën e tyre.

Social media është bërë thelbësore për fjalën e lirë po aq sa ishin për brezat e mëparshëm mitingjet, gazetat e televizionet. Interneti është sheshi i ri i mitingjeve. Megjithatë, vitet e fundit, platformat e Big Tech janë bërë përherë e më të paturpshme e të pacipa në censurimin dhe diskriminimin e ideve, informacionit dhe njerëzve në rrjetet sociale, duke bllokuar përdoruesit, përjashtuar organizatat dhe duke bllokuar agresivisht rrjedhën e lirë të informacionit nga e cila varet demokracia jonë.

Gjigantët e Big Tech tashmë nuk bëjnë thjesht fshirje të kërcënimeve për dhunë. Ata manipulojnë dhe kontrollojnë vetë debatin politik. Kujtoni përmbajtjen që është censuruar vitin e kaluar. Kompanitë Big Tech ndaluan përdoruesit të publikonin fakte që coronavirusi doli nga një laborator kinez, çka tani pranohet si e vërtetë edhe nga korporatat e medias. Në mes të pandemisë Big Tech censuroi mjekët të diskutonin për trajtime të mundshme si hydroxychloroquine, për të cilën tani studimet tregojnë se funksionon në lehtësimin e simptomave të Covid-19. Në javët para zgjedhjeve presidenciale, platformat ndaluan New York Post — gazeta më e vjetër në Amerikë — të publikonte një artikull kritik për familjen e Joe Biden, një histori që fushata e Biden as nuk e kundërshtoi.

Ndoshta më tronditësja, në javët pas zgjedhjeve, Big Tech bllokoi llogaritë e presidentit në detyrë në social media. Nëse ma bëjnë mua këtë gjë, mund ta bëjnë edhe për ju – dhe më besoni, po e bëjnë.

Jennifer Horton, një mësuese në Michigan, u bllokua në Facebook sepse shpërndau një artikull që pyeste nëse mbajtja e detyruar e maskave nga fëmijët ishte e shëndetshme. Më vonë, kur vëllai i saj humbi, ajo nuk ishte në gjendje të përdorte Facebook për të kërkuar ndihmë.

Kelly Victory, mjeke nga Colorado, u përzu nga YouTube pasi bëri një video për kishën e saj, ku shpjegonte se si shërbesat mund të bëheshin në mënyrë të sigurt. Kiyan Michael nga Florida dhe burri i saj, Bobby, humbën djalin 21-vjeçar në një aksident fatal të shkaktuar nga një emigrant i paligjshëm i përzënë dy herë. Facebook i censuroi pasi postuan për sigurimin e kufijve dhe zbatimin e rregullave të emigracionit.

Ndërkaq, propagandistët kinezë dhe diktatori iranian hodhën kërcënime e gënjeshtra të shpifura nëpër platforma pa u ndëshkuar.

Ky sulm flagrant kundër shtypit të lirë po e dëmton shumë vendin tonë. Kjo është arsye që, në bashkëpunim me America First Policy Institute, ngrita një padi kolektive për të ndaluar censurimin e popullit amerikane nga ana e Big Tech. Padia kërkon dëmshpërblim për të parandaluar sjellje të tillë në të ardhmen dhe rikthim të llogarive të mia.

Padia jonë argumenton që kompanitë Big Tech po përdoren për të imponuar censurë qeveritare të paligjshme dhe antikushtetuese. Më 1996, Kongress kërkoi të promovonte rritjen e internetit duke zgjeruar mbrojtjen e platformave të internetit përballë pretendimeve, duke njohur aktin që ato ishin pikërisht të tilla – platforma, jo botues. Ndryshe nga botuesit, kompanitë si Facebook e Twitter nuk mund të mbahen ligjërisht përgjegjëse për përmbajtjen e postuar në faqet e tyre. Pa këtë imunitet, kompanitë e social media nuk do të mund të ekzistonin.

Demokratët në Kongres po e shfrytëzojnë këtë levë për të detyruar platformat të censurojnë kundërshtarët e tyre politikë. Vitet e fundit, të gjithë e kemi parë se si Kongresi ka thirrur drejtues të Big Tech para komisioneve dhe u ka kërkuar të censurojnë lajmet ‘false’ dhe ‘dizinformacionin’ — etiketa të përcaktuara nga një ushtri verifikuesish partizanë besnikë të Partisë Demokratike. Siç e demonstrojnë edhe rastet e bashkëpaditësve zonja Horton, Dr. Victory dhe familja Michael, në praktikë kjo shndërrohet në shtypjen e fjalës që ata në pushtet nuk e pëlqejnë.

Më tej, Big Tech dhe agjencitë qeveritare janë aktive në koordinim për të fshirë materiale nga platformat në përputhje me udhëzimet e agjencive si Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Big Tech dhe organe media tradicionale themeluan Nismën e Lajmeve të Besueshme, e cila në thelb merr instruksione nga CDC për informacionet që duhet të ‘luftojnë’. Kompanitë teknologjike po bëjnë punën e qeverisë, duke bashkëpunuar për të censurua idetë e pamiratuara.

Ky shtrëngim dhe koordinim është jokushtetues. Gjykata e Lartë ka vendosur që Kongresi nuk mund të përdorë aktorë privatë për të arritur atë që Kushtetuta ia ndalon ta bëjë vetë. Efektivisht, Big Tech ka vepruar paligjshëm si krahu censurues i qeverisë amerikane. Kjo duhet t’ju alarmojë, pavarësisht bindjeve politike. Është e papranueshme, e paligjshme dhe jo-amerikane.

Përmes këtyre padive, unë synoj rikthimin e fjalës së lirë për të gjithë amerikanët-Demokratë, Republikanë e të pavarur. Nuk do të resht kurrë së luftuari për të mbrojtur të drejtat kushtetuese dhe liritë e shenjta të popullit amerikan.

/Botuar në Wall Street Journal/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *