Kandidati i opozitës për Elbasanin, Luçiano Boçi, tha në nisje të fushatës se ky qytet ka nevojë për qytetarinë e tij, pasi është përdhosur.
“Ne sot nga kjo arenë, rithemelojmë shpresën dhe idealin. Marrim në dorë fatet tona dhe nisim betejën tonë të jetës. Beteja jonë është një betejë e pastër për qytetarët tanë, për familjet tona, për vendin tonë.
Elbasani im, Elbasani ynë, gjendet në udhëkryqin e historisë. Si kurrë më parë, ai është i etur sot për qytetarinë e vet se e kanë përdhosur. Ai është i etur për shkëlqimin e tij të fikur nga babëzia monumentale e qeverisë.
Ajo që më ka sjellë përpara Elbasanit dhe Shqipërisë është kërkesa e tyre për ndryshim sepse çdo vonesë mund të jetë fatale,” tha Boçi.
“Unë përgjatë këtyre ditëve, dua të flas drejtpërdrejt me të gjithë qytetarët, me të gjithë elbasanasit që kanë vuajtur nga keqqeverisja. Sot është koha e qytetarëve, sot është koha e shërbimit ndaj tyre. T’i kthejmë fatin e qytetit të tyre, ku secili ka vendin dhe shërbimin e vet. Vetëm kështu ne do jemi fituesit e vërtetë të kësaj beteje. Zoti e bekoftë Elbasanin, zoti e bekoftë Shqipërinë,” theksoi kandidati opozitar.