Nga: Mero Baze
Rritja e Partisë Demokratike në sondazhe, ka shkaktuar një luftë të ftohtë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, për shkak se në çdo qark, përqindjet e rritura të PD, janë përqindje të zbritura nga LSI. Kjo është e qartë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e kudo. Debati është nëse PD po i merr vota LSI, apo po rimerr votat e saj të humbura në vitin 2017?
Pretendimi i LSI se PD po merr votat e saj me pabesi dhe joshje të elektoratit të saj, nuk qëndron. Në të vërtet këtë gjë po e bën PS më shumë. Ajo po tërheq krerë të LSI nëpër rrethe dhe po i fut në PS për të demoralizuar LSI.
Por gjëmën reale LSI po ja bën PD. Ajo po tërheq gjithë elektoratin që LSI i mori asaj në vitin 2017, përmes joshjes se ajo do të ishte në pushtet me çdo kusht, ose me PS, ose me PD. Kjo bëri që shumë votues të PD që nuk shikonin shpresë tek fitorja e Partisë Demokratike më 2017, të kalonin me LSI.
Pasi kishte dy mandate në pushtet, njëherë me PD dhe një herë me PS, LSI ishte e besueshme si parti që nuk do ikte kurrë nga pushteti.
Fakti që PS, fitoi e vetme më 2017, i la ata në rrugë dhe pa prespektivë pushteti dhe kjo bëri që ata që kanë ikur nga PD, tani të kthehen sërisht tek PD.
Mbetja e LSI në këtë katërvjeçar në opozitë, ka qenë një leksion i hidhur për gjithë filozofinë e asaj partie, ngritur mbi faktin se ajo do të jetë gjithnjë në pushtet.
Në këto zgjedhje, retorika e egër e Metës kundër Ramës dhe pushtetit të PS në tërësi, e ka bërë të pashpresë prespektivën e një aleance të mundshme PS-LSI. Vet PD ka bërë kujdes që Meta të përdoret në ekstrem qoftë dhe si i çmendur kundër PS, me qëllim që të mos lërë asnjë derë hapur për ti ikur me ta pas zgjedhjeve.
Pas kësaj e vetmja derë ku mund të trokasin njerëzit e përdorur nga LSI në zgjedhjet e shkura është PD.
Dhe kjo po bëhet me gjakftohësi nga PD. Në Qarkun e Gjirokastrës, ku mundësia që PD të orientoj vota për kandidatin e LSI, Vangjel Tavo që të arrij numurin e mjaftueshëm për të marrë mandatin, duket se po has rezistencë dhe vet PD po heton mundësinë në zonën e Përmetit apo Lunxhërisë se mos individë të veçantë të PD përfshihen në një operacion të tillë.
Kjo e ka rritur ndjeshëm nervozizmin e LSI ndaj Bashës, dhe paranojën e Ilir Metës, se Basha mund të bëj koalicion të madh me Ramën pas zgjedhjeve.
Po ti shtosh dhe faktin që ai e injoroi LSI në ceremoninë e çeljes së fushatës elektorale, duke e marrë këtë si një mesazh lufte, atëhere kjo tablo bëhet dhe më e qartë.
E gjithë kjo tregon se sa gabim ishte mos futja e tyre në një listë të përbashkët para zgjedhjeve. Eshtë e vërtet që LSI tregohet e paarsyeshme në negociata të tilla, duke të kërkuar dyfishin e asaj që i takon, por në një prespektivë më të largët, PD do ishte më e fituar ti kishte brenda të gjithë, se sa të luftoj tani për zhdukjen e LSI, me qëllim që të mos jetë faktor pas zgjedhjeve.
Kjo është një luftë me kosto më të lart, por që është e vetmja luftë që PD po e bën me shumë vendosmëri.
Kjo është dhe lufta e paparashikuar e kësaj fushate elektorale, e cila është përsëritje e luftës së vitit 2017, ku LSI besohej më shumë se PD, që do ishte në pushtet, kurse tani duket se të gjithë besojnë se LSI është e pashpresë. Dhe këtu çmendja e Ilir Metës ka bërë të vetën.