Reforma e drejtësisë është një nga sfidat më të mëdha të vendit tonë. Problematikat me të cilat është ndeshur sistemi i drejtësisë kanë qenë nga më të ndryshmet, dhe kjo për shkak të mosfunksionimit të sistemit si një i tërë.
Korrupsioni, keqfunksionimi, mungesa e integritetit, profesionalizmit, pavarësisë dh e transparencës të sistemit tashmë janë identifikuar dhe pranohen gjerësisht si fenomene dëmtuese, që duhet të jenë në fokus të kësaj reforme të thellë, me qëllim ndryshimin e situatës në sistemin e drejtësisë në vend.
Për të përballuar luftën kundër këtyre fenomeneve dhe për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë, që sot është mbizotëruese, Shqipëria do të mbështet sërish nga BE, e cila deri më tani ka dhënë 50 milionë euro për reformën.
Bashkimi Evropian sot ka deklaruar se do të japë edhe 9 milionë euro të tjera për të përkrahur reformën e drejtësisë, si reformuese të politikave në Shqipëri, duke pasur kështu një rol thelbësor në procesin e Europianizimit të vendit tonë.
Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca në konferencën për 5 vjetorin e reformës në drejtësi, të premten, u shpreh se: “Shqipëria duhet të lërë pas të shkuarën e të ecë drejt BE-së. Nëse bashkoni forcat çdo gjë është e mundur. Të vendosësh në vijë reformën ka qënë. e vështirë sepse ajo targeton korrupsionin dhe ndëshkimin. Zbatimi kërkon pragmatizëm, dhe lidership, të qendrosh përballë dhe të vazhdosh edhe kur rezultatet janë të vështira”.
Shqipëria është në proces të miratimit dhe zbatimit të reformave që kanë si qëllim zhvillimin e vendit dhe anëtarësimin në BE. Reforma në drejtësi, si një ndër reformat thelbësore të rekomanduara nga BE është duke u implementuar nga institucionet përkatëse, me mbikqyrjen e ndërkombëtarëve.
/Priza.al/