Zv. kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në një takim mbi turizmin, ka folur në lidhje me atë që po ndodh në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe te rruga e Shqipërisë drejt BE.
Ahmetaj tha se lufta ka sjellë një panoramë që nuk shihej në Evropë prej dekadash.
“Lufta është në Ukrainë por ajo ndihet në të gjithë botën. Unë do të thoja se është një botë përpara 24 shkurtit dhe një tjetër pas asaj. Themelet e asaj për të cilën ne luftuam për 77 vite janë tronditur sërish në një kohë kur askush s’e priste, mendonte për të dhe askush s’do e imagjinonte dimensionin dhe tronditjen e demokracisë, shtetit ligjor. Solidariteti është kryefjala jo vetëm për Ukrainën, por të gjitha vendet që për shkak të tronditjes së madhe të themeleve po vuajnë me shumë. Vende si Shqipëria apo Ballkani Perëndimor vuajnë më shumë, për shkak të valës, krizës.
Kur themi se duhet të përgatitemi si vend kandidat, duhet të mësojmë çdo ditë dhe na mësohet në mënyrë stabilizuese sa i përket zgjerimit, por edhe të ruajmë identitetin tonë. Identitet kulturor, ne jemi vend mesdhetar. Ne ndajmë shumë me Greqinë, Kroacinë, Italinë. Jemi vend i Ballkanit Perëndimor, ndajmë me Kosovën, Malin e ZI, Bosnjën. Jemi dhe të ndryshëm. Një strategji unifikuese na përgatit për Perëndimin. Pas pandemisë mund të shohim që kjo duhet të bëhet punë e përditshme që të rinjtë të qëndrojnë këtu, me politika arsimore, strehimin për të mbështetur çiftet e reja”, tha ai.