Presidenti rus Vladimir Putin nuk është i sinqertë lidhur me mundësinë për bisedimet e paqes me Ukrainën në këtë kohë, tha Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland të shtunën pas takimit me Presidentin Volodymyr Zelenskiy dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas në Kiev.
Diplomatja e lartë amerikane vizitoi Ukrainën për të shprehur mbështetje në një kohë kur Rusia po përpiqet të shkatërrojë infrastrukturën energjetike të vendit.
“Diplomacia është padyshim objektivi i të gjithëve, por duhet të kesh një partner të gatshëm (për bisdedime),” u tha ajo gazetarëve.
“Dhe është shumë e qartë, duke pasur parasysh sulmet ndaj rrjetit energjetik, apo retorikën e Kremlinit dhe në përgjithësi qëndrimet e Moskës, se Putini nuk është i sinqertë apo i gatshëm për një gjë të tillë”, tha ajo.
Presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se ishte i gatshëm të fliste me presidentin Putin nëse udhëheqësi tregonte se ishte i interesuar t’i jepte fund luftës. Por Kremlini tha se Perëndimi duhet të njohë aneksimin nga Moska të katër rajoneve të Ukrainës.
Zonja Nuland tha se ky reagim nga Rusia, tregoi “se ata nuk janë seriozë”.
Zëvendës Sekretarja e Shtetit u takua gjithashtu me kreun e zyrës së Presidentit Zelenskiy, Andriy Yermak, i cili falënderoi Uashingtonin për ndihmën prej miliarda dollarësh që i ka dhënë Ukrainës.
“Fitorja e Ukrainës, për të cilën jemi të sigurt, do të jetë fitorja jonë e përbashkët,” u citua ai t’i thoshte zonjën Nuland./VOA/