Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar së fundmi një raport në të cilin thuhet se në Ukrainë janë vrarë mbi 8.000 civilë që nga fillimi i luftës. Kombet e Bashkuara kanë thënë se kjo shifër është vetëm “maja e ajsbergut” pasi besohet se mijëra të tjerë kanë vdekur nga pushtimi rus.
Kjo shifër është më e lartë krahasuar me shifrat e paraqitura më herët nga OKB lidhur me numrin e viktimave të konfirmuara në mesin e civilëve që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022. Rreth 90% e viktimave, sipas OKB-së, janë vrarë nga armët shpërthyese.
“Të dhënat tona janë vetëm maja e ajsbergut. Vuajtjet e civilëve janë të mëdha”, tha komisionari i lartë për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
Matlida Bigner, drejtuesja e misionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë ka deklaruar se ende nuk janë konfirmuar mijëra vrasje, shumica e të cilave janë në qytetin jugor ukrainas të Mariupolit që tani është në kontrollin rus. Në shifrat e prezantuara nga OKB-ja janë përfshirë edhe 2.000 civilë të vrarë në Mariupol. Ky qytet ishte i rrethuar për tre muaj dhe ka pësuar shkatërrime të mëdha.