Ministrat e Brendshëm të BE janë të shqetësuar, se kontrabanda e armëve në Europë do të mbetet një problem për shumë vite, sepse lufta në Ukrainë ka sjellë një fluks të madh armësh ilegale në treg.
Ishte takimi i parë i ministrave të Brendshëm të BE nën presidencën çeke (11.07) ku në qendër ishte lufta në Ukrainë. Këtë herë nuk u fol vetëm për refugjatët, por edhe për kriminalitetin ndërkufitar, siç bëri të ditur C. “Temë kryesore ishte se si të mbrohemi kundër rreziqeve që shfaqen si pasojë e luftës në Ukrainë.”
Tregtia me armë “një rrezik shumë real”
Në krye të listës së rreziqeve potenciale qëndron kontrabanda me njerëz. Por jo më pak e rrezikshme është tregtia me armë, thotë drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së BE për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex, Aija Kalnaja. “Mendoj se ky është një rrezik shumë real. Prandaj jemi prezent në kufirin mes Moldavisë dhe Ukrainës. Ne besojmë se aty mbërrijnë armët e kontrabanduara. Jemi të përgatitur për ta ndalur këtë.”
Kalnaja ishte e ftuar në takimin e ministrave të Brendshëm të BE si eksperte. Frontex ka ndërmarrë madje edhe aksionet e para kundër tregtisë me armë, konfirmon zëvendësdrejtori, Lars Gerdes. Ka informacione prej kohësh, se rrjete të mëparshme kontrabandistësh tani janë përqëndruar tek armët, ku përmes luftës në Ukrainë është krijuar një qasje gati pa asnjë kufizim. “Këto armë me shumë gjasë bien në duar kriminale. Këtë e kemi parë në konfliktet në Ballkan. Ende sot aty gjenden armë, që e kanë origjinën në konfliktet e Ballkanit.”
Por në Ukrainë kemi të bëjmë me shumë më tepër armë dhe më moderne. Tregtia ilegale me to do të mbesë si problem edhe për dekadat e ardhshme, thotë Gerdes. “Këto armë të kontrabanduara do të përdoren me gjasë për kriminalitetin e organizuar apo në rastin më të keq për të furnizuar terroistët.”
Më shumë refugjatë – jo vetëm nga Ukraina
Ministrat e Brendshëm të BE ishin të një mendimi, se duhet të bëhen përgatitje për ardhjen e refugjatëve të tjerë nga Ukraina. Disa vende kanë mbërritur në kufijtë e kapaciteve. Çekia, krahasuar me numrin e popullsisë ka pranuar numrin më të lartë të refugjatëve nga Ukraina, dhe dëshiron të marrë ndihma shtesë financiare dhe organizative.
Në të njëjtën kohë Europa duhet të përgatitet për rritjen e numrit të refugjatëve nga rajone të tjera, sipas ministres zvicerane të migracionit, Karin Keller-Sutter. Zvicra bën pjesë tek vendet e zonës Shengen dhe për këtë arsye ndodhej në takimin e ministrave të BE. Karin Keller-Sutter tha se sërish kemi shtim të numrit të refugjatëve dhe “presioni i mgiracionit ndaj Europës është shumë i madh.” Veçanërisht shënon rritje shifrash itinerari i Ballkanit, siç vihet re nga të dhënat nga Austria. Deri në maj ky vend ka regjistruar 22.000 kërkesa për azil, dy herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.