Rusia ka nisur ditën e sotme një sulm masiv me dronë mbi Ukrainë, në prag të 9 majit, përvjetorit rus të humbjes së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Sakaq, Ukraina festoi Ditën e Fitores, së bashku me pjesën tjetër të Evropës, duke ndarë simbolikisht pozicionin e saj nga Moska. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i krahasoi forcat ukrainase që luftojnë rusët me ata që luftuan nazistët.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko tha se Rusia lëshoi 60 dronë të prodhuar nga Irani, 36 prej tyre synonin kryeqytetin dhe të gjithë u rrëzuan. Mbeturinat ranë mbi apartamente dhe ndërtesa të tjera, duke plagosur të paktën 10 persona.
Gjithashtu një magazinë ushqimore është përfshirë nga flakët në Odessa pasi u godit nga një raketë. Zyrtarët lokalë thanë se tre persona u plagosën. Kryqi i Kuq sqaroi se e gjithë ndihma humanitare e deponuar në këtë depo prej 1000 metrash katrorë është shkatërruar.
Sirenat ranë për orë të tëra në pothuajse dy të tretat e Ukrainës. Mediat lokale raportuan se shpërthime u dëgjuan edhe në Kherson dhe Zaporizhia, në juglindje.
Air defense system shoots down drones over Kyiv last night pic.twitter.com/TR1bp3gfeI
— Slava 🇺🇦 (@Heroiam_Slava) May 8, 2023