Presidenti Vladimir Putin, i ka thënë homologut të tij francez se, Perëndimi ka injoruar shqetësimet e sigurisë së Rusisë, mes frikës se Rusia mund të pushtojë Ukrainën. SHBA hodhi poshtë një kërkesë kryesore të Moskës që NATO të përjashtonte mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën e mbrojtjes – por këmbënguli se ajo po i ofronte Rusisë një “rrugë diplomatike”.
Presidenti Biden, thotë se, Rusia mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm. Inteligjenca gjermane thotë se Rusia është e përgatitur për të sulmuar, por ende nuk ka vendosur ta bëjë këtë. Rusia mohon se po planifikon një sulm.
Por të premten, Putin i tha presidentit francez Emmanuel Macron se, ngërçi nuk ishte zgjidhur.
“Përgjigjet e SHBA-së dhe NATO-s nuk morën parasysh shqetësimet kryesore ruse si parandalimi i zgjerimit të NATO-s, mosvendosja e sistemeve të armëve goditëse pranë kufijve rusë, ose kthimi i potencialit ushtarak dhe infrastrukturës së aleancës në Europë në pozicionet ekzistuese në 1997”,- tha shefi i Kremlinit.
Ky është komenti i parë i Putinit për krizën, pasi SHBA-të refuzuan kërkesën kryesore të Rusisë. Ai i tha Macron se, do të studionte nga afër kundërpropozimet e SHBA-ve, përpara se të vendoste për ndonjë veprim të mëtejshëm.
Franca tha se, të dy udhëheqësit kishin rënë dakord për nevojën e qetësimit të situatës dhe Macron i kishte thënë Putinit, se Rusia, duhet të respektojë sovranitetin e shteteve të saj fqinje. Gjithashtu të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, u duk se nënvlerësoi paralajmërimin e Biden, për një pushtim në shkurt.
Ai u tha gazetarëve se, tensionet nuk po përshkallëzoheshin aktualisht, duke thënë: “Nuk kemi nevojë për panik”. Zelensky tha se, Ukraina nuk duhet të jetë objekt i një marrëveshjeje midis Bidenit dhe Putinit dhe në vend të kësaj, duhet të përfshihet në bisedime.
Presidenti ukrainas tha se, lëvizjet nga Britania e Madhe dhe SHBA-të për të tërhequr disa nga stafi i ambasadës dhe të afërmit e tyre nga Ukraina, kishin qenë një gabim. Ndërkohë kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, tha se Rusia ishte e përgatitur për të sulmuar Ukrainën, por ende nuk kishte vendosur nëse do ta bënte këtë.
“Unë besoj se vendimi për të sulmuar nuk është marrë ende”,- tha Bruno Kahl për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se, aleanca ishte e gatshme të rriste praninë e saj në Evropën Lindore, për të demonstruar vendosmërinë e saj. Stoltenberg tha se, Rusia po dislokonte mijëra trupa të gatshme luftarake dhe sisteme raketore në Bjellorusi, e cila gjithashtu kufizohet me Ukrainën.
/Priza.al/