Dhuna më e rëndë midis Izraelit dhe grupeve palestineze është parë në ditët e fundit, me konfliktin që përshkallëzoi gjatë fundjavës së fundit të Ramazanit. Përveç kësaj, përplasjet janë kthyer në një luftë, e cila po u merr jetën civilëve dhe fëmijëve të pafajshëm.
Disa nga fotografitë e shkrepura, shfaqin tmerrin që po përjetojnë familjet. Fëmijë duke qarë, prindërit të cilit vrapojnë me fëmijët e tyre në krah dhe largohen nga vendbanimet.
Raportohet se disa nga militantët e grupit të Hamas, janë vrarë nga sulmet ajrore të Izraelit. Kujtojmë se Hamas, është një lëvizje politike islamike e cila nuk njihet nga Izraeli dhe klasifikohet si organizatë terroriste nga SHBA, Japoni, Kanada dhe Izrael. Që nga viti 2006, Hamas ka drejtuar Gazën, e cila ndodhet midis Izraelit dhe Detit Mesdhe.
Një nga përfaqësuesit e grupit Hamas, ka deklaruar se udhëheqësi i operacionit ushtarak në Gaza, Bassem Issa dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë, u vranë gjatë sulmeve.
Gjithashtu lajmin e ka konfirmuar dje edhe agjencia izraelite e sigurisë së brendshme. Bassem Issa dhe komandantë të lartë të Hamasit, përfshi shefin e inxhinierisë së grupit dhe kreun e luftës kibernetike dhe ai për zhvillimin e raketave, u vranë. Qeveria izraelite tha se në total gjatë sulmeve u vranë 16 anëtarë të krahut ushtarak të Hamasit.
Konflikti midis Izraelit dhe Palestinës ka filluar të përshkallëzohet duke filluar nga dita e hënë, pasi policia izraelite bllokoi besimtarët myslimanë për të hyrë në xhaminë Al Aqsa. Gjithashtu policia izraelite përdori gaz CS dhe granata brenda xhamisë.
Militantët e Hamasit më pas qëlluan drejt Izraelit si përgjigje. Ditën e djeshme, Izraeli ka nisur sulmet ajrore në Gaza duke vënë në shënjestër instalimet e policisë dhe të sigurisë. Një ndërtesë shumëkatëshe banimi dhe zyrash u dëmtua rëndë. Askush nuk ishte në ndërtesë në kohën e sulmit.