Aktorja e njohur e Hollivudit Angelina Jolie ka akuzuar Izraelin dhe liderët botërorë për bashkëfajësi për situatën e vështirë të krijuar në Rripin e Gazës.
”Udhëheqësit botërorë janë bashkëpunëtorë në këto krime,” shkruan Jolie.
Jolie, e cila ka shërbyer si e dërguar speciale e UNHCR, bëri një postim në Instagram dhe ndau një foto të një sulmi izraelit. Në reagimin e saj, aktorja 48-vjeçare theksoi situatën e rëndë në rajonin e rrethuar, duke theksuar vuajtjet e zgjatura të banorëve të Gazës.
“Ky është bombardimi i qëllimshëm i një popullsie të bllokuar që nuk ka ku të arratiset. Gaza ka qenë një burg në ajër të hapur për gati dy dekada dhe po bëhet me shpejtësi një varr masiv. 40% e të vrarëve janë fëmijë të pafajshëm”, shkroi ajo.
Jolie shprehu shqetësim për familje që po vriten, ndërsa kriza humanitare e krijuar bie ndesh me ligjet ndërkombëtare.
“Familje të tëra po vriten. Ndërkohë që bota shikon dhe me mbështetjen aktive të shumë qeverive, miliona civilë palestinezë, fëmijë, gra, familje po ndëshkohen dhe dehumanizohen kolektivisht, të gjitha duke u privuar nga ushqimi, ilaçet dhe ndihma humanitare kundër ligjit ndërkombëtar”, shkruan aktorja.