Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ministrin e tij të Mbrojtjes të vazhdojë ofensivën në Ukrainë pasi Rusia pushtoi qytetin e Lysychansk.
Për këtë, Putini doli në televizionin rus duke u bërë thirrje forcave në fronte të tjera që të ndjekin qëllimet e tyre sipas “planeve të miratuara më parë”.
Pushtimi i Lysychansk do të thotë se i gjithë rajoni i Luhanskut është tani në duart e Rusisë.
Më herët, guvernatori ukrainas, Serhiy Haidai, i rajonit tha se qyteti ishte braktisur në mënyrë që rusët të mos e shkatërronin atë nga distanca.
Ushtarët tani janë zhvendosur në pozicione të reja të fortifikuara, tha Haidai për BBC.
“Humbja e qytetit dhe dhënia e kontrollit të Luhansk Rusisë ishte e dhimbshme, por kjo është vetëm një betejë që kemi humbur, jo luftën”.
Ai kërkoi më shumë armë nga Perëndimi për të kompensuar avantazhin rus, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Presidenti Volodymyr Zelensky është zotuar se forcat ukrainase do të kthehen për të rimarrë Lysychansk “në sajë të rritjes së furnizimit me armë moderne”.
Rusia ka shtuar tani bombardimet e saj ndaj qyteteve në rajonin fqinj Donetsk, me zonat përreth Sloviansk dhe rrugën midis Lysychansk dhe Bakhmut, sipas forcave ukrainase.