Lukashenko kërcënoi BE-n me ndërprerjen e gazit, Putin: Bjellorusia rrezikon lidhjet me Moskën

Presidenti rus Vladimir Putin shprehu të shtunën mosmiratimin e një kërcënimi të udhëheqësit të Bjellorusisë për të ndërprerë furnizimin me gaz rus në Bashkimin Evropian.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të shtunën se homologu i tij bjellorus nuk është këshilluar me të, përpara se të ngrejë si mundësi, ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror të Evropës. Ai shtoi se një lëvizje e tillë do të dëmtonte lidhjet mes Moskës dhe Minskut.

“Ai mundet, mendoj, nuk është mirë, megjithatë, dhe unë do të flas me të për këtë … në rast se ai e tha atë nga zemërimi,” i tha Putin kanalit televiziv rus Rossiya 1.

“Kjo do të ishte një shkelje e kontratës sonë të tranzitit dhe shpresoj se nuk do të vijë deri te kjo,” tha Putin, duke iu referuar marrëveshjeve që rregullojnë rrjedhën e gazit rus përgjatë tubacioneve që kalojnë përmes Bjellorusisë. Ndërprerja e gazit “nuk do të kontribuonte në zhvillimin e marrëdhënieve tona me Bjellorusinë si një vend tranzit”, paralajmëroi ai.

Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko kërcënoi të enjten se do të hakmerret kundër çdo sanksioni të ri të Bashkimit Evropian ndaj vendit të tij lidhur me çështjen emigrantëve të bllokur në kufi me Poloninë. Ai sugjeroi se mund të ndalojë transportimin tranzit të gazit rus dhe mallrave të tjera nëpërmjet Bjellorusisë.

Paralajmërimi i tij ndikoi në një rritje të përkohshme të çmimit të gazit në Evropë, e cila siguron rreth një të tretën e sasisë së gazit nga Rusia, përfshirë dhe përmes tubacionit Yamal-Europë, i cili kalon përmes Bjellorusisë, në Poloni dhe Gjermani.

Seksioni bjellorus i tubacionit Yamal-Evropë është në pronësi të kompanisë shtetërore ruse, Gazprom.

“Kohët e fundit kam folur me (Lukashenkon) dy herë dhe ai nuk ma përmendi këtë gjë asnjëherë dhe nuk e la as të kuptohet”, tha zoti Putin në një intervistë për televizionin shtetëror. Këto janë komentet e tij të para publike lidhur me kërcënimin që ka bërë presidenti bjellorus.

Presidenti rus gjithashtu pretendoi se nuk e kishte dëgjuar kërcënimin me gaz të Lukashenkos, i cili u transmetua të enjten nga media shtetërore bjelloruse. Lukashenko e bëri kërcënimin ndërsa BE-ja po shqyrtonte më shumë sanksione ndaj regjimit të tij në përgjigje të krizës së emigrantëve në kufirin Bjellorusi-Poloni.

“Të jem i sinqertë, kjo është hera e parë që kam dëgjuar për këtë, sepse kam biseduar me Alexander Grigorievich [Lukashenko] dy herë kohët e fundit dhe ai kurrë nuk më ka thënë për këtë, madje as që ka lënë të kuptohet”, tha Putin.

Putin fajësoi BE-në për krizën që ka bllokuar mijëra emigrantë në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë.

“Ne nuk duhet të harrojmë se nga erdhën këto kriza të lidhura me emigrantët. A është Bjellorusia arsyeja e këtyre problemeve? Jo, arsyet u krijuan nga vendet perëndimore, vetë vendet evropiane”, pohoi ai në intervistën e Rossiya 1.

Të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia do të respektojë kontratat e saj të gazit me Evropën.

“Rusia ka qenë, është dhe do të mbetet një vend që përmbush të gjitha detyrimet për të siguruar gaz konsumatorët evropianë”, tha Peskov, sipas Deutsche Welle.

Prej vitesh, Rusia ka qenë aleati më i afërt i Bjellorusisë, duke ndihmuar me gjithçka, nga sigurimi i parave të thata, tek furnizimi me energji me çmim të lirë tek ndihma ushtarake. Komentet e zotit Lukashenkos vijnë në një kohë të ndjeshme për eksportet e energjisë ruse drejt Evropës.

Analistët thonë se komentet e zoti Lukashenko për gazin ka të ngjarë të kenë venë në provë durimin e zotit Putinit ndërsa furnizimi me gaz nga Rusia ndodhet tashmë në qendër të debatit të nxehtë me Evropën.

Çmimet evropiane të gazit e për rrjedhojë, faturat e energjisë janë në rritje këtë vit, çka u nxit pas rimëkëmbjes nga pandemia duke shkaktuar një rritje të kërkesës, e duke i detyruar klientët nga Evropa në Azi, të garojnë mes tyre për të siguruar sa më shumë furnizime.

Disa politikanë evropianë kanë akuzuar Moskën se nuk ka bërë aq sa duhet për të ulur çmimet.

Komisioni Evropian tha të premten se nëse zoti Lukashenko do t’i çonte deri në fund kërcënimet e tij, kjo do të dëmtonte më tej furnizimin e gazit.

Gjatë intervistës të së shtunës, zoti Putin tha se nëse Bjellorusia do të ndërpresë furnizimet, kjo do të shkaktonte dëme të mëdha në sektorin energjetik evropian dhe nuk do të ndihmonte në zhvillimin e marrëdhënieve të Rusisë me Bjellorusinë si një vend tranzit.

Rusia, e cila këtë javë ka nisur të rrisë sasinë e gazit që po dërgon me synimin për të rimbushur depozitat e saj në Evropë përpara sezonit të dimrit, ka thënë se sasia do të shtohet sapo gazsjellësi i saj i sapondërtuar “Nord Stream 2” të marrë dritën jeshile nga Gjermania.

“Nord Stream 2” është një tjetër gazsjellës rus i projektuar për të anashkaluar vendet tranzit, veçanërisht Ukrainën.

Kremlini e quan gazsjellësin një “projekt thjesht komercial” dhe ka mohuar në mënyrë të prerë se pas tij fshihen çështje politike.

/Burimi: Politico.eu/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *