Të flasësh për ekonominë nuk është fare e thjeshtë, por ama populli e di se 7×7 nuk bëjnë 42 sado ne të ëndërrojmë me sy hapur. Ne dimë këtë realitet matematikor, por për Bashën nuk vëmë dot ‘dorën në zjarr’. Në takimet ‘kokë më kokë’ me qytetarët, kreu i PD-së ka folur për planin ekonomik.
Bën shumë mirë që flet për ringritje ekonomike, po ku do i gjejë paratë për të rimëkëmbur ekonominë? Teksa tik-taket e orës janë një alarm në rrugëtimin e 25 prillit, përpos dashamirësisë së PD-së, populli duhet të marë një garanci se ku do i gjejë këto të ardhura PD-ja, për të hequr nga fjalori fjalën varfëri ose mbijetesë, krizë e mëshirë.
Por përtej skepticizmit nëse mund ta konkretizojë këtë program ekonomikisht, na duhet të besojmë që pasuritë e Shqipërisë t’i adresojë në xhepa të shqiptarëve. Këtu dështon së pari, pasi provat janë dhënë ndër vite se pasurohen baxhanakët e farefisi i të parit të partisë. E nisim nga premtimi për rritjen e rrogave të mjekëve (1200 – 700 euro) Mirë premtove, po ku do i gjesh këto të ardhura? Nga dita e parë e këtij viti, klasa politike është përfshirë në një garë të ethshme shifrash për rritje page.
Shëndetësia ka qënë edhe ende vijon të jetë sektori më i sulmuar, kjo edhe për shkak të disa monstrave që nuk kanë gjak në venat e tyre. Në kërkim të një mandati për kryeministër, Basha rrumbullakosi 1200 euro në muaj për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Por për asnjë çast nuk tha se sa i kushton buxhetit të shtetit kjo rritje.
Një pikë tjetër e programit është rritja me 5 përqind të pensioneve në vit. Kryedemokrati Basha ka thënë se angazhimi i parë i programit është minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët, përmes përmirësimit së klimës së biznesit, dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Deri këtu jemi me sy e vëshë dhe tejet entuziastë.
Vetëm nëse konfiskohen asetet e të korruptuarve e organizatave kriminale dhe këto të gjitha i kalojnë buxhetit të shtetit, atëherë do të jemi në rrugë të mbarë. Por deri sa të vijë ajo ditë, ti gëzohemi këtyre premtimeve, që për fatin tonë, vijnë sa herë ka zgjedhje. Kreu I PD-së ka deklaruar se plani i tyre është me angazhime konkrete dhe jo premtime boshe. Ndaj mbetemi në pritje….
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016